Plagosja e dyfishtë në Shtërpcë, avokati i të dyshuari: Do t’i drejtohemi Apelit
Ushtari i FSK-së, Azem Kurtaj që dyshohet se të premten në Shtërpcë plagosi dy të rinj serbë, njëri prej tyre një 11-vjeçar, thotë se ai shkrepi me armë në vetëmbrojtje.
Megjithatë, Gjykata Themelore në Ferizaj të dielën ka vendosur për caktimin e masës së paraburgimit ndaj Azem Kurtajt.
Avokati i tij, Naim Ferati, të hënën për portalin rtv21.tv tha se do të paraqesin ankesë në Gjykatën e Apelit për të rrëzuar vendimin e shkallës së parë, i cili e la Azem Kurtajn në paraburgim për një muaj.
“Sot kemi pranuar aktvendimin e Gjykatës dhe ankesën nesër do ta dorëzojmë lidhur me pretendimet e tona”, ka thënë Ferati.
Në njoftimin e Gjykatës u tha se pjesëtari i FSK-së ka shtënë në drejtim të dy vëllezërve, por avokati tha së ai ka shtënë në tokë dhe jo në drejtim të tyre. Njësoj si avokati ishte shprehur edhe nëna e viktimës në ditën kritike.
Të plagosurit 11 vjeç e 21 vjeç ndodhen jashtë rrezikut për jetë./21Media