Hiqen barrikadat në Shtërpcë

(Lajm i përditësuar)
Plagosja në Shtërpcë, Gërvalla: Zero tolerancë
Ministrja për Punë të Jashtme dhe Diasporë, Donika Gërvalla-Schëarz, ka thënë se plagosja e sotme në Shtërpcë e dy të rinjve, përbën një krim të papranueshëm dhe të patolerueshëm.
Sipas saj, përgjegjësi apo përgjegjësit e këtij krimi duhet dhe do të përballen me drejtësinë.
“Plagosja e sotme në Shtërpcë e dy të rinjve, qytetarë të Republikës së Kosovës, përbën një krim të papranueshëm dhe të patolerueshëm. Përgjegjësi apo përgjegjësit e këtij krimi duhet dhe do të përballen me drejtësinë. Institucionet e Republikës së Kosovës janë duke punuar intensivisht në sqarimin e rrethanave të plagosjes së dy të rinjëve në Shterpcë. Përgëzoj Policinë e Kosovës për reagimin e shpejtë dhe të duhur, pa lënë asnjë hapësirë për dilema. Duke e dënuar ashpër këtë krim, njëkohësisht bëj thirrje për ndaljen e çdo tendence të manipulimit dhe paragjykimit të motiveve”, ka shkruar Gërvalla në Facebook.
Sveçla: Policia ka ndërmarrë veprime të shpejta
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar ndaj incidentit në Shtërpcë, ku mbetën të plagosur dy pjesëtarë të komunitetit serb në Kosovë.
Në një postim në Twitter, Sveçla ka thënë se ky sulm do të dënohet me ligj.
“Sulmi ndaj dy qytetarëve të Kosovës në Shtërpcë është i papranueshëm dhe do të dënohet plotësisht me ligj. Policia ka ndërmarrë veprime të shpejta dhe ka arrestuar autorin”, ka shkruar  Sveçla në Twitter.


Hiqen barrikadat në Shtërpcë
Qytetarët e Shtërpcës kanë filluar që të largojë pengesat e vendosura në rrugë.
Barrikadat, të krijuara nga drutë dhe gomat, u hoqën nga serbët lokalë, pas disa orësh negocimi me Policinë e Kosovës.
Megjithatë prezentë janë parë një numër i madh i qytetarëve në vendin ku ishte e vendosur pengesa.
Policia shton forcat para protestuesve në Shtërpcë
Siç raportohet në media policia e Kosovës ka rritur numrin e zyrtarëve policorë në fshatin Gotovushë, pranë serbëve që kanë bllokuar magjistralen, pas plagosjes së dy të rinjve mesditën e së premtes.
Policia e Kosovës ka konfirmuar se janë plagosur një 11 dhe një 21 vjeçar.
Pas sulmit në Shtërpcë reagon edhe Osmani: Akt i patolerueshëm

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka reaguar pas plagosjes së të rinjve 11 dhe 21 vjeçarit në Shtërpcë.

Osmani ka thënë se ky është akt i patolerueshëm, ndaj autori duhet të vihet para drejtësisë.

“Institucionet e Kosovës janë të përkushtuara maksimalisht që qytetarëve pa dallim etnie t`u ofrohet ambient i sigurt dhe i qetë.Të plagosurve ju dëshiroj shërim të shpejtë, ndërkaq ftoj organet e sigurisë që rastin ta trajtojne urgjentisht e sipas ligjit”, ka thënë Osmani.

Bllokohet rruga për të hyrë dhe dalë nga Shtërpca
Rrugët për të hyrë dhe dalë nga Shtërpca, janë bllokuar nga banorët serbë pas plagosjes së dy personave mesditën e së premtes.
Lajmin e ka konfirmuar kryeprokurori i Ferizajt, Shukri Jashari.
Plagosja në Shtërpcë: Konfiskohet një armë zjarri dhe një veturë
Policia Rajonale e Ferizajt, pas arrestimit të A.K i dyshuar për plagosjen e dy personave në Shtërpcë është konfiskuar arma e zjarrit me të cilën dyshohet se është kryer vepra penale.
“Si provë materiale është konfiskuar edhe automjeti i udhëtarëve me të cilën dyshohet se ka lëvizur i dyshuari”, ka njoftuar Policia.
Kurti: E dënoj ashpër sulmin ndaj dy qytetarëve të Kosovës në Shtërpcë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka dënuar sulmin ndaj dy qytetarëve të Kosovës në Shtërpcë.
Kurti ka shkruar se Policia e Kosovës është e angazhuar maksimalisht në kryerjen e detyrave të saj me qëllim të mbrojtjes së jetës dhe pronës së të gjithëve pa dallim.
“E dënoj ashpër sulmin ndaj dy qytetarëve të Kosovës në Shtërpcë. Thellësisht i brengosur për plagosjen e tyre. Sipas informatave, të rinjtë 11 dhe 21 vjeçar janë jashtë rrezikut për jetë dhe ju dëshiroj shërim të shpejtë. Policia e Kosovës veçse ka arrestuar të dyshuarin i cili pa asnjë mëdyshje duhet dhe do të përballet me organet e drejtësisë. Njësitet relevante do të vazhdojnë hetimet deri në zbardhjen e të gjitha rrethanave të këtij akti të papranueshëm dhe të dënueshëm. Dua të siguroj të gjithë qytetarët se Policia e Kosovës është e angazhuar maksimalisht në kryerjen e detyrave të saj me qëllim të mbrojtjes së jetës dhe pronës së të gjithëve pa dallim”, ka shkruar Kurti në Facebook.
Mehaj konfirmon se i dyshuari për plagosjet në Shtërpcë është pjesëtar i FSK-së
I dyshuari për plagosjen e dy personave në Shtërpcë është pjesëtar i Forcave të Sigurisë së Kosovës, kështu ka bërë të ditur ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj.
Mehaj ka thënë se i dyshuari A.K. 33 vjeçar do të trajtohet sipas rregulloreve dhe ligjeve që janë në fuqi në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Forcës së Sigurisë.
“Tani u njoftova se në rastin që ka ndodhur në Shtërpcë është përfshirë një pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës. Me rastin janë duke u marrë organet e sigurisë dhe drejtësisë. I njëjti do ta trajtohet edhe sipas rregulloreve dhe ligjeve që kemi në fuqi në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Forcës së Sigurisë”, ka shkruar Mehaj.
Mehaj ka shprehur keqardhjen më të thellë për atë që ka ndodhur në Shtërpcë.
“Të plagosurve, u uroj shërim sa më të shpejtë. Raste si kjo janë të izoluara, por si të tilla nuk guxojnë të ndodhin. Ministria e Mbrojtës dhe Forca e Sigurisë së Kosovës mbeten të përkushtuar për t’i shërbyer qytetarëve tanë pa dallim”, ka shkruar ai.
Arrestohet i dyshuari për plagosjen e dy personave në Shtërpcë
Arrestohet i dyshuari për plagosjen e dy personave në Shtërpcë. Policia Rajonale e Ferizajt, ka njoftuar se pas një pune intenzive hetimore , grumbullimit të informacioneve në terren kanë identifikuar e më pas kanë arrestuar të dyshuarin A.K i moshës 33 vjeçar.
I dyshuari është duke u shoqëruar në Policinë Rajonale të Ferizajt, përkatësisht Sektorin Rajonal të Hetimeve, për veprime tjera hetimore.
Plagosen dy persona në Shtërpcë, njëri prej tyre 11 vjeçar
Mesditën e së premtes janë dëgjuar të shtëna me armë në fshatin Gotovush të Shtërpcës.
Policia e Kosovës ka konfirmuar se nga këto të shtëna kanë mbetur të plagosur dy persona, nga persona të panjohur të cilët ishin me një automjet të udhëtarëve në lëvizje, që po qarkullonte nga Shtërpca në drejtim të Ferizajt dhe më pas janë larguar nga vendi i ngjarjes.
Sipas policisë, të plagosur kanë mbetur një 11 dhe 21 vjeçar.
“Dy të lënduarit për ndihmë mjekësore janë dërguar në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Shtërpcë dhe pas marrjes së ndihmës së parë në Shtërpcë, për tretman të mëtutjeshëm mjekësor janë dërguar me autoambulancë për në qytetine Graçanicës. Të dy të plagosurit nga informacionet që kemi janë jashtë rrezikut për jetë”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Bëhet e ditur se janë marrë të gjitha veprimet nga policia , policia e rendit e më pas hetuesit policor dhe krimtekniket nga Sektori Rajonal i Hetimeve, nën autorizim të prokurorit kujdestar nga PTH-Ferizaj kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe i kanë nisur hetimet në kërkim dhe kapjen e personave të dyshuar.
Aktualisht rruga që qonë për në Shtërpcë është e bllokuar nga të dy drejtimet e lëvizjes./21Media

Back to top button