Plani i PDK-së, rritje e pagës minimale deri në 300 euro e rritje pensionesh deri në 40%

 

Kryetari i PDK-së, njëherësh kandidati për kryeministër, Enver Hoxhaj së bashku me nënkryetarin e PDK-së, Bedri Hamën kanë prezantuar sot programin e Partisë Demokratike të Kosovës për Rimëkëmbje ekonomike.

Hoxhaj, siç ka informuar PDK përmes komunikatës ka thënë se ekonomia është shtylla e parë e programit të PDK-së për qeverisje dhe programi i Rimëkëmbjes, i cili sipas tij, vjen në periudhën kur tërë bota është goditur nga pandemia nuk është listë e dëshirave, por program i zotimeve që vijnë si rezultat i punës së përgjegjshme, të matshme dhe koordinuar të ekspertëve të fushës.

“Plani ynë i ka dy pjesë. E para, të lehtësojë dhimbjen e qytetarëve të rënduar nga kriza, dhimbje që është rënduar me menaxhimin e keq të pasojave të krizës nga dy qeveritë e vitit të kaluar. Së dyti, ne ofrojmë një pako stimuluese për të ringjallur Ekonominë tonë, e cila do të ketë efekt të menjëhershëm por është edhe projekt afatgjatë. Ne në Kosovë duhet ta kuptojmë,  lidershipi i përgjegjshëm duhet të ketë plan drejt një horizonti që zgjat një dekadë. Kjo është çka programi ynë synon. Kështu arrihet Rimëkëmbja.”, ka thënë Hoxhaj.

Ndërsa, Bedri Hamza duke prezantuar pikat konkrete të planprogramit për Rimëkëmbje ekonomike ka theksuar se nën qeverisjen e PDK-së Kosova do të ketë rritje ekonomike 5 % – 7 %, ku përmes masave konkrete do të mbështeten sektori privat, përfituesit e ndihmave sociale dhe pensionistët, si dhe të punësuarit në sektorin privat dhe publik.

“Ndër tjerash me këtë plan parashihet fond mbi 1 miliardë euro për ekonominë në krizë, ngritje të pagës minimale deri në 300 euro dhe rritje pensionesh deri në 40%.”, është bërë e ditur në komunikatën e PDK-së./21Media

Back to top button