Plenkoviq: Kroacia përkrah Kosovën për mbrojtjen e monumenteve

2 min read

 

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka pranuar nga kryeministri i Republikës së Kroacisë, Andrej Plenkoviq, përgjigje në letrën që ia pati dërguar atij dhe kryeministrave e presidentëve të 56 vendeve të botës.

Në letër, kryeministri Kurti ka shprehur pikëpamjet e Kosovës mbi trashëgiminë kulturore dhe rëndësinë e mbrojtjes së saj.

Duke iu falënderuar për letrën, kryeministri kroat ka thënë se pajtohet plotësisht që historia kulturore e çdo vendi dhe personifikimet fizike të trashëgimisë së saj kulturore duhet të trajtohen gjithmonë me respektin e duhur dhe të mbrohen në të mirë të shoqërive tona në tërësi.

”Ne i vlerësojmë shumë përpjekjet tuaja për të respektuar dhe mbrojtur monumentet e rëndësishme në Kosovë, të cilat janë një pjesë e kësaj sixhadeje të pasur të trashëgimisë kulturore. Të ngrohë zemrën të dish se je i përkushtuar në këto përpjekje. Konservimi dhe pasqyrimi vibrant i trashëgimisë kulturore heterogjene të vendit tuaj padyshim që do të sigurojë një pjesë të çmuar të trashëgimisë kulturore globale”, ka shkruar Plenkoviq.

Duke qenë pjesë e operacionit të NATO-s për mbështetjen e paqes në Kosovë, KFOR, kryeministri Plenkoviq ka thënë se Kroacia mbetet e vendosur t’i japë pjesën e saj të duhur kësaj kauze madhështore, e cila mbetet po aq thelbësore për pajtimin, sa është edhe për paqen dhe stabilitetin e rajonit.

Sipas një komunikate të Qeverisë së Kosovës, në letrën e datës 20 maj 2021, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ua ka konfirmuar liderëve të 56 vendeve të botës (ndër to edhe Serbia) vendosmërinë e Qeverisë së Kosovës për të mbrojtur trashëgiminë e tërësishme kulturore, e në veçanti atë të komuniteteve pakicë, siç janë kishat ortodokse dhe manastiret.

Kryeministri u ka bërë thirrje atyre që të përkrahin Kosovën në rrugën e saj të zhvillimit, siç ka thënë ai, duke e parë trashëgiminë tonë të pasur kulturore si ndër argumentet më të forta të vlerës së shtuar, që vendi ynë ia sjellë komunitetit botëror të kombeve, njerëzve e kulturave.