“Po të mos isha mbipeshë, askush s’do të dinte gjë për mua”, rrëfimi i Jetës që ndryshoi jetën e shumë grave

 
Jo rrallë herë njerëzit ballafaqohen me sfida të ndryshme në jetë, e si sfidë më e rënde është ballafaqimi me probleme shëndetësore, Por, dikush arrin që këto sfida t’i kthejë në forcë e motivim për vete dhe për të tjerët.
Rast të ngjashëm pati edhe Jeta Delija-Lila, e cila arriti që pikën e saj të dobët ta kthente në pikën më  të fortë, shkruan portali rtv21.tv
Për vite me radhë luftonte me kilogramët e tepërt, deri kur erdhi një moment dhe gjeti “ ilaçin”. E të njëtën recetë i ftoi që ta aplikojnë edhe gratë tjera, të cilat po ashtu arritën sukses.
“Gjithçka nisi me kilogramët e mia të shtuara në dy shtatzënitë. Provova dieta plot, hiqja kilogramë ndërkaq i riktheja prap sapo i ndërprisja, dietat ishin të lodhshme fizikisht dhe psiqikisht për mua. Ishte e nevojshme të krijoja diçka tjetër, afatgjatë, të kollajshme për aplikim. Përpara se të studioja shkencat e ushqimit dhe nutricionin, kërkoja dhe hulumtoja vazhdimisht dy gjëra: produkte të shëndetshme që më mbajnë ngopur, kombinime shujtash që shkrijnë dhjamin. Herën e parë ia dola vetëm, hoqa 14kg për 2 muaj. Herën e dytë kisha nevojë për dikë gjatë rrugëtimit. Ideja që tek unë regjimi  funksionoi për mrekulli, më dha kurajo që ta ndaj me të tjerët. E dija që mijëra femra luftojnë me tulet. E dija që këtë program ushqimi plotësisht të shëndetshëm dhe pa efekte anësore duhet t’jua shpërndaj dhe isha shumë e sigurtë që do t’ju jep efekt. Hapa grupin, (në Facebook) prezentova planin tim.”, tregoi Jeta për portalin rtv21.tv, duke shtuar se nuk e priste që grupi i saj do të bëhej kaq i famshëm.
Po ashtu Jeta nuk  e kishte menduar se kjo përvojë do të ndikonte që niste biznesin e saj, shpërndarjen e menyve të ushqimit për një kohë e kishte bërë falas.
“Rritja e vazhdueshme e anëtarëve filloi t’më merrte jashtëzakonisht kohë dhe përkushtim për shkak se kishte vazhdimisht pyetje, ndërrime shujtash, zëvendësime produktesh, ndërrime oraresh, paqartësi… përderisa e kisha marrë në përgjegjësi këtë nismë nuk mund t’i lija në gjysmë aq shumë veta dhe të ikja. Anëtaret e grupit kishin super vullnet për të vazhduar. Si rrjedhojë, për të qenë edhe vet e motivuar, duhej ta riktheja në një ndërmarrje të vogël me një pagesë mujore simbolike, të pranueshme për xhepin e secilit.”, tha Delija- Lilaj.
Megjithatë, ajo u shpreh se qëllimi parësor i këtij grupi është që të ndihmojë gratë.
Gjatë punës së saj me gratë,  Jeta thotë se ka vënë re që atyre u mungojnë ritualet për t’u përkujdesur për veten.
“Rëndësinë e kujdesit ndaj vetes secila e dijnë, por të gjitha e thonë arsyetimin e njejtë që angazhimet e mëdha ju bëjnë të pamundur realizimin.  Gjithmonë ju sugjeroj ritualet. Shembull, një ditë e javës në mbrëmje gjithmonë le të jetë për trajtim të fytyrës (në kushte shtëpiake), një datë e muajit gjithmonë le të jetë për një vizitë rutinore te mjeku, ose çkado qoftë tjetër, e rëndësishme është që të ndiqet rituali. Gjithçka mund të arrihet kur e ke të planifikuar paraprakisht.”, tha ajo.
E për fund Jeta Delija-Lila, duke cilësuar gratë si qeniet me të forta në univers i motivoi ato për kurajo.
“Nëse këtë kurajo nuk j’ua japin, kërkojeni, nëse nuk e gjeni, prodhojeni nga brendësia juaj, sidomos nëse mendoni që keni forcë për të ndryshuar diçka për të mirë, mos t’ju ndalë asgjë dhe askush, diljani vetë, ju keni superfuqi. Po të mos isha mbipeshë, askush nuk do të dinte gjë për mua. “, tha Jeta ,duke shtuar se  me përvojen e saj e vërtetoi se nga çdo gjë e keqe, del diçka e mirë./21Media

Back to top button