Polica: Sot në veri qetë

(Lajm i përditësuar)


Polica: Sot në veri qetë

Në komunat veriore të Kosovës aktualisht situata është e qetë. Zëdhënësi i policisë, Baki Kelanni tha për portalin rtv21.tv se policia po vazhdon monitorimin e situatës.

“Referuar zhvillimeve në veri të vendit, ka bërë që situata të jetë e tensioniar dhe e brishtë, por sot aktualisht situata është e qetë. Monitorimi i situatës dhe angazhimet policore të koordinuara me institucioneve relevante të sigurisë po vazhdojnë në komunat veriore.”, tha Kelani.

Ai po ashtu siguroi se Policia e Kosovës në bashkëpunim dhe koordinim me institucionet e sigurisë, po vazhdon angazhimet policore në zbatimin e rendit dhe sigurisë publike, ofrimin e sigurisë ndaj qytetarëve si dhe ndërmarrjen e masave policore konform situatës dhe zhvillimeve në komunat veriore.

 


Numër i vogël i protestuesve sot në veri

Të punësuarit në Komunën e Zveçanit, ndonëse është ditë pushimi, edhe sot shkuan në ‘punë’.

Ata u nënshkruan në listat e evidencës dhe po qëndrojnë afër ndërtesës së komunës.

Situata në këtë komunë është e qetë, ndërsa numri i protestuesve është i vogël.

Pjesëtarë të KFOR-it dhe të Policisë së Kosovës, të cilët po kujdesen për ruajtjen e rendit, po vazhdojnë të qëndrojnë pranë dhe brenda ndërtesës së kësaj komune.

Mësohet se dhe në dy komunat tjera veriore të vendit, Leposaviq dhe Zubin Potok, situata është e qetë, ndërsa numri i protestuesve është simbolik.

Protestuesit serbë po kundërshtojnë hyrjen e kryetarëve shqiptarë në ndërtesat komunale. Situata në këto komuna është tensionuar të premten e 26 majit kur kryetarët e betuar janë detyruar të hyjnë në zyrat e tyre të punës nën asistencën e Policisë së Kosovës. Të hënën (29) protestuesit me maska e edhe ata pa maska kanë ushtruar dhunë ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe gazetarëve. Ata kanë hedhur gjësende të ndryshme në drejtim të paqeruajtësve, derisa kanë dëmtuar e djegur vetura të mediave.

Back to top button