Policët që morën ryshfet ende marrin pagë! Prokuroria po punon në mënyrë aktive për rastin

Dy policët kufitar të cilët u kapën nga kamerat duke marrë ryshfet janë të suspenduar, por ende vazhdojnë të marrin një pjesë të pagës. Sot Ministri i Punëve të Brendshme Oliver Spasovski tha se procedura disiplinore ende po zhvillohet. Se a ka pasur të përfshirë tjerë në këtë skandal siç potencoi Spasovski, kjo do të zbulohet pas zbardhjes së plotë të rastit.
“Janë të suspenduar dhe është ngritur kallëzim penal, kështu që procedura zhvillohet në pjesën disiplinore dhe në pjesën e përgjegjësisë penale. Po punohet në këtë rast kështu që të gjitha informacionet kur do të jenë të gatshme do të jepen në publik. Për momentin ata janë të suspenduar nga marrëdhënie me punën, parashihet marrja e një pjese të pagës derisa nuk përfundon afati i procedurës disiplinore” – deklaroi ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski.
TV21 pyeti në prokurori se deri ku është procedura e gjykimit, nga atje e përgjigje:
“Në rastin për të cilin jeni të interesuar, prokurorët kompetent veprojnë në mënyrë aktive dhe në kuadër të kompetencave të tyre mbledhin provat e nevojshme për zbardhjen e rastit. Nuk mund të ndahen më shumë detaje rreth ngjarjes në këtë moment”, u përgjigjën nga Prokuroria.
Video incizimet ku shiheshin zyrtarët policorë duke marrë nga 20 euro për person për të kaluar kufirin më lehtë në Bllacë u siguruan më herët por u publikuan pas përfundimit të aksionit policor të ndërmarrë nga strukturat e SPAK-ut në Shqipëri dhe IPK-ja në Kosovë ku mbetën të arrestuar 26 policë për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Ndryshe në Maqedoninë e Veriut, sipas Kodit Penal personi zyrtarë që merr ryshfet dënohet me 4 deri 10 vjet burg./TV21

Back to top button