Policia apelon të festoni me zemër e jo me armë

Policia e Kosovës njofton se ka hartuar dhe është në zbatim të planit operativ lidhur me festat e fund-vitit dhe Vitit të Ri. Sipas policisë qëllimi parësor i Policisë është që përmes aktiviteteve operative dhe jo vetëm, të sigurojë ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike në tërë territorin e vendit.
“Qëllimi i hartimit të këtij plani është që përmes shtimit të prezencës policore dhe vigjilencës së zyrtarëve policorë të arrihen patrullime të shtuara, prezencë policore më e madhe në terren, përfshirë sheshet ku pritet të ketë më shumë qytetarë si dhe prezencë policore në rrugë për të ofruar siguri në trafik.”, , thuhet në njoftimin e policisë.
Policia zotohet se do të trajtojë me seriozitet çdo thirrje të qytetarëve dhe do të reagojë në raste kur prezenca policore është e nevojshme duke trajtuar rastet eventuale që mund të paraqiten në këtë periudhë të festave dhe pas tyre.
“Duke apeluar tek të gjithë qytetarët që gjatë festimeve të jenë të kujdesshëm, të festojnë me zemër e jo me armë, të kujdesen sidomos te përdorimi i mjeteve piroteknike ku kërkohet monitorim nga të rriturit, po ashtu të kenë kujdes të shtuar në trafikun rrugor e të mos drejtojnë automjetet nën ndikim të alkoolit.”, përfundon komunikata e policsë./21Media

Back to top button