Policia arreston personin që dyshohet se mori peng disa persona në Holandë

(Lajm i përditësuar)


Autoritetet në veri të Holandës kanë njoftuar se ka përfunduar paqësisht pengmarrja e disa personave të shtunën, më 30 mars. Policia ka tha se ka arrestuar të dyshuarin, i cili po mbante një maskë, në momentin tentoi të dilte nga ndërtesa e rrethuar nga zyrtarët policorë.

“Të gjitha pengjet janë liruar. Një person është arrestuar. Nuk mund të ndajmë informacione të tjera për momentin”, u tha në deklaratën e policisë.

Disa persona, përfshirë punonjës të kafes Petticoat në qytetin Ede u morën peng mëngjesin e së shtunës.

Motivi është i paqartë, por policia paraprakisht deklaroi se nuk ka tregues se ngjarja ka motive terroriste.

I dyshuari doli nga kafeneja, vendosi duart prapa kokës së tij, u gjunjëzua para se të prangosej nga policia.

Njësitë kundër mjeteve plasëse kishin dalë në afërsi të ndërtesës që gjendet në qendër të qytetit.

Rrugët afër zonës u evakuuan dhe trenat ndalën shërbimet.

Ede gjendet rreth 80 kilometra larg Amsterdamit.

Gazeta kombëtare de Telegraaf kishte raportuar, duke u thirrur në disa burime anonime, se personi që mori pengjet kishte qenë i armatosur dhe po bartte mjete plasëse.


Disa persona merren peng në një qytet holandez

Disa persona në qytetin holandez Ede janë marrë peng mëngjesin e së shtunës, përderisa autoritetet kanë evakuuar banorët në zonën përreth, tha policia.

Situata e pengmarrjes po vazhdon, teksa policia tha se janë liruar tre persona.

Është e paqartë se sa persona të tjerë janë ende duke u mbajtur peng.

Policia tha se nuk ka tregues se ky incident ka motive terroriste.

Disa njësi të policisë speciale janë dislokuar në vendngjarje, përkatësisht në një ndërtesë në qendër të qytetit, tha policia përmes një njoftimi të publikuar në rrjetet sociale. Autoritetet e sigurisë shtuan se 150 shtëpi janë evakuuar dhe policia u bëri thirrje qytetarëve të qëndrojnë larg zonës.

Pengjet po mbahen në klubin e natës, Petticoat, nga një person që ka armë dhe eksplozivë, raportoi gazeta kombëtare de Telegraaf, duke cituar disa burime anonime të sigurisë.

Ndërkaq, transmetuesi NOS, tha se një robot që kontrollohet me telekomandë është dislokuar në vendngjarje si dhe njësitë kundër eksplozivëve.

Në qytetin Ede, për shkak të kësaj ngjarjeje, është anuluar transporti hekurudhor, tha operatori kombëtar i trenave, NS.

Back to top button