Policia arreston tre shtetas të Serbisë

Gjatë 24 orëve të fundit policia e Kosovës ka arrestuar tre shtetas të Serbisë, të cilët sipas Policisë dyshohet se kanë hyrë ilegalisht në territorin e Kosovës.
Fillimisht dje policia kishte arrestuar në mesditë në bjeshkët e Radushës në Istog dy shtetas të Serbisë.
“Njësitet policore gjatë patrullimit në terren kanë ndaluar dhe kanë arrestuar dy të dyshuar meshkuj shtetas të Serbisë, pasi të njëjtit dyshohet se kanë hyrë kundërligjshëm në territorin e RKS-së. Me urdhër të prokurorit, të dyshuarit pas intervistimit janë dërguar në mbajtje”, njofton policia.
Kurse rreth orës 16:20 në fshatin Dobrosin të Gjilanit policia ka arrestuar një tjetër shtetas të Serbisë, pasi i njëjti është takuar duke kaluar vijën kufitare ilegalisht.
Me vendim të prokurorit i dyshuari pas inicimit të rastit është liruar, rasti vazhdon në procedurë të rregullt./21Media 

Back to top button