Policia bastis një shtëpi në Mitrovicë, gjen aparate për prodhimin e kriptovalutave

Policia e Kosovës në orët e pasdites ka kryer bastisje në fshatin “Frashër” të Mitrovicës, ku ka gjetur 12 aparate për prodhimin e kripovalutave.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti për rtv21.tv ka njoftuar se hetuesit e Sektorit Rajonal të Hetimeve në kuadër të Drejtorisë Rajonale në Mitrovicën e Jugut, në mbështetje të Njësisë për Reagim të Shpejtë (NJRSh) nën dyshime të arsyeshme për veprimtari të kundërligjshme në orët e pasdites së sotme kanë realizuar një bastisje.
“Si rezultat i hetimeve është arritur të lokalizohet dhe identifikohet lokacioni, me ç’rast bastisja është realizuar në një shtëpi në fshatin Frashër të Mitrovicës. Gjatë bastisjes janë gjetur dymbëdhjetë aparate të lidhura me pajisje elektrike dhe internet që dyshohen se përdoreshin për prodhimin e kriptovalutave”, ka njoftuar Zahiti.
Për pajisjet e gjetura dhe veprimtarinë e dyshuar hetuesit policor kanë identifikuar një person të dyshuar.
Lidhur me veprimet e ndërmarra dhe pajisjet e gjetura është njoftuar prokurori i çështjes i cili ka sugjeruar që me veprime të mëtejme hetimore lidhur me rastin dhe pajisjet e gjetura të merren autoritetet doganore./21Media

Back to top button