Policia: Dy persona u ndaluan në Prizren për prezantim të rremë si pjesëtarë të MUP-it serb, 10 tjerë u intervistuan si dëshmitarë
Dy persona janë ndaluar në Prizren nën dyshimin për prezantim të rremë si persona zyrtarë. Sipas policisë, ata janë prezantuar si pjesëtarë të MUP-it serb. Kurse, 10 të tjerë u intervistuan në cilësinë e dëshmitarëve.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Vesel Gashi, konfirmoi për “Betimi për Drejtësi” se fillimisht Policia në Prizren- sektori i hetimeve ka ndërmarrë veprime operative-hetimore dhe është konstatuar që tri vetura me 12 persona kanë qenë të parkuara në kompleksin/oborrin e objektit fetar Bogosllovisë në Sheshin Shatërvan.
“Pasi janë identifikuar këto vetura me persona, sot me datë 06.04.2025, reth orës 12:00 tre veturat me targa Serbe, ku në këto vetura kanë qenë dymbedhjetë (12) persona, shtetas të Serbisë, janë ndaluar tek ura e “Arastes”, ku fillimisht aty janë kontrolluar personat si dhe veturat dhe pastaj janë shoqëruar në SRH-Prizren për legjitimim dhe intervistim”, tha Gashi.
Ai tha se 10 persona u intervistuan në cilësi të dëshmitarëve, ndërsa dy të dyshuar u ndaluan.
“Pas intervistimit dhjetë (10) prej tyre janë intervistuar në cilësi të dëshmitarëve dhe liruar në procedurë të rregullt, ndërsa dy të dyshuarit janë prezantuar se janë pjesëtarë të MUP-it Serb, por nuk e kanë dëshmuar një gjë të tillë me dokumentacion, dyshohet se janë prezantuar rrejshëm si persona zyrtarë”, shtoi ai.
Zëdhënësi shtoi se për të gjitha është konsultuar prokurori i shtetit, i cili ka lëshuae aktvendim për ndalim për 48 orë për dy të dyshuarit.