Policia e Kosovës: Kidnapimi i tre policëve ndodhi në territorin e Republikës së Kosovës

Zëdhënësi i Policisë, Baki Kelani, sot në konferencë për media ka thënë se tre policët kufitar të Kosovës, u kidnapuan në mënyrë klasike nga njësia speciale policore e Serbisë.
Sipas tij, pretendimet e tyre se policët e Kosovës, janë arrestuar brenda territorit të Serbisë nuk janë të vërteta.
“Në formë të organizuar kanë kidnapuar tre zyrtarë të policisë së Kosovës, patrullues. Dua ta theksoj se ka ndodhur një kidnapim klasik nga forcat serbe. Policia dëshiron të theksoj se njësia patrulluese e kufirit, ka qenë me detyrë zyrtare, në pikë statike thellë në territorin e Kosovës, kanë qenë duke e kryer detyrën zyrtare, për ta parandaluar kalimin e grupeve kriminale të kalojnë, ta ndalojnë kontrabandimin përfshirë edhe dyshimet për armatim në atë pjesë”, ka thënë ai.
Kelani ka thënë se njësitë tjera të policisë kanë shkuar për asistencë për ndihmë të tre zyrtarëve policorë, por me të shkuar në vend të ngjarjes ata nuk janë parë më aty.
“Fillimisht njësiti policor më tre zyrtarë kanë parë se në atë lokacion kanë lëvizur persona të maskuar e të armatosur, që dyshohen të jenë forcat e armatosura speciale të Serbisë. Njësitë tjera kanë shkuar për asistencë, me të shkuar kanë vërejtur vetëm automjetin zyrtarë”, ka thënë ai.
Ai e ka demantuar raportimin nga Serbia, se zyrtarët policorë janë pjesë e njësisë speciale, sipas tij ata janë vetëm patrullues kufitar.
Policia: Ka ndodhur kidnapim klasik nga forcat serbe
Policia e Kosovës po mban konferencë për media, për kidnapimin e tre zyrtarëve të Policisë nga Serbia.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani në këtë konferencë tha se është e brengosur dhe e dënon kidnapimin klasik të zyrtarëve të saj nga forcat speciale serbe thellë në territorin e Kosovës./21Media