Policia: Gjatë natës grupet kriminale kanë vazhduar vendosjen e barrikadave

(Lajm i përditësuar)
Grupet kriminale i kanë vendosur edhe dy barrikada në veri. Kështu duke e penguar edhe më tej lëvizjen e lirë të qytetarëve.
“Në veri të vendit, gjatë natës persona/grupe kriminale, kanë vazhduar vendosjen e barrikadave duke penguar edhe më tej lirinë e lëvizjes së lirë. Referuar informacioneve zyrtare janë vendosur edhe dy barrikada me mjete të rënda”, thuhet në njoftimin zyrtar të Policisë së Kosovës.
Njëra prej barrikadave është vendosur në udhëkryqin te shkolla teknike, ndërsa tjetra është vendosur te vendi i quajtur Kershi i Dudes.
09:01 – Serbët vendosin edhe një tjetër barrikadë, bllokojnë qarkullimin për në Zveçan
Edhe një barrikadë tjetër e përbërë prej dy kamionëve të mbushur me zhavorr është vendosur sot rreth orës 8:00 të mëngjesit në urën e re që çon prej pjesës veriore të Mitrovicës drejt magjistrales Mitrovicë -Rashkë.
Serbët përmes kësaj barrikade kanë bllokuar qarkullimin e automjeteve për në Zveçan, që deri dje ishte i mundur.
07:45 – Barrikadë e re në veri, pamundësohet lëvizja e lirë edhe në qytet

Një barrikadë e re prej tre kamionësh është vendosur mëngjesin e sotëm tek udhëkryqi afër shkollës teknike, në veri të Mitrovicës.
Këtë e ka konfirmuar për portalin rtv21.tv zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës së Veriut, Besim Hoti .
Kjo është barrikada e parë e vendosur në qytet, ndërsa e 12-ta prej datës 10 dhjetor kur bandat kriminale serbe vendosën barrikadat e para.
Pengesa e re pamundëson lëvizjen e lirë në qytet, ndërsa deri më tash të bllokuara ishin rrugët magjistrale.
Që nga 10 dhjetori grupe të ndryshme të qytetarëve serbë kanë ngritur barrikada në disa pika në pjesën veriore të Kosovës, për të kundërshtuar arrestimin e ish-policit serb, Dejan Pantiq.
Ai u arrestua nën dyshimin për sulm kundër anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri.
Barrikadat në veri po vëzhgohen nga Policisa e Kosovës, KFOR-it dhe EULEX-it./21Media

Back to top button