Policia jep detaje për aksionin “dardha”, ku kapen rreth 93 kg drogë

Policia e Kosovës ka dhënë detaje për aksionin e e sotëm ku sekuestruan rreth 93 kg drogë dhe arrestuan dy persona.
Policia e Kosovës konkretisht Njësia për Hetimin e Trafikimit me Narkotik – Prizren, ka zbatuar planin operativ të koduar “Dardha”, me ç’rast në fshatin Tupec – Prizren është ndaluar një automjet i tipit Mercedes, me targa vendore, me drejtues mashkull shtetas i Shqipërisë, i cili në tentativë për tu arratisur në këmbë, është arrestuar nga zyrtarët policor.
Pas arrestimit të të dyshuarit është bërë kontrollimi i automjetit me ç’rast janë vërejtur disa thasë me substancë të dyshuar narkotike të llojit Marihuanë.
Sipas Policisë, në vazhdën e zhvillimit të këtij operacioni policor është bërë dhe arrestimi i personit të dytë të dyshuar mashkull shtetas i Shqipërisë, i cili dyshohet se me një automjet të tipit Audi me targa të Shqipërisë i ka siguruar rrugën për lëvizje të dyshuarit të parë i cili po lëvizte me automjetin me narkotik.
Gjatë zhvillimit të procedurave lidhur me rastin janë gjetur dhe sekuestruar:
Njëqind e tetëdhjetë e një (181) paketime me substancë të dyshuar narkotike të llojit Marihuanë, me peshë 93 kilogram e 249 gram.
Një peshore.
Gjashtëqind e njëzet e dy (622) euro.
Gjashtëmijë e shtatëqind (6700) lekë të Shqipërisë.
Dhe dy automjetet e përfshira në rast.
Pas marrjes së urdhërit verbal nga gjyqtari i procedurës paraprake në Prizren, është kontrolluar edhe depoja e cila ishte nën shfrytëzim të personave të dyshuar, ku dhe janë vërejtur mallra të ndryshme që dyshohet se janë të kontrabanduara. Me këtë rast janë njoftuar zyrtarët kompetent nga Dogana e Kosovës të cilët janë duke u marrë me procedurat e mëtutjeshme.
Lidhur me rastin po ashtu është konfiskuar edhe një automjet tjetër i tipit Mercedes me targa të Shqipërisë, i cili ishte në afërsi të depos, nën shfrytëzim të personave të dyshuar.
Me vendim të prokurorit të shtetit pas intervistimit të personave të dyshuar në prezencë të avokatëve, të njëjtit janë ndaluar për 48 orë./21Media

Back to top button