Policia jep detaje rreth aksionit ku u arrestuan katër të dyshuar për “Fajde dhe Detyrim”

(Lajm i përditësuar)
Policia jep detaje rreth aksionit ku u arrestuan katër të dyshuar për “Fajde dhe Detyrim”
Policia e Kosovës ka dalë me detaje rreth aksionit të sotëm ku janë arrestuar katër persona të dyshuar për veprën penale “Fajde dhe Detyrim”.
Policia njoftoj se po ashtu janë sekuestruar prova të ndryshme materiale.
“Gjatë hetimit të këtij rasti janë arrestuar katër persona të dyshuar, janë kryer kontrolle si dhe janë gjetur e sekuestruar prova të ndryshme materiale.
Kontrollet janë kryer në katër lokacione të ndryshme në komunën e Prishtinës, me ç’rast janë sekuestruar dëshmi të ndryshme materiale si: armë, para, dokumente, vetura, bimë narkotike etj. Të gjitha veprimet e mëtejme do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë.”, thuhet në njoftimin e policisë.
Policia me aksion me mëngjes, arrestohen katër persona
Janë arrestuar katër persona të dyshuar për veprën penale “Fajdeja” sot gjatë një aksioni në orët e hershme të mëngjesi.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik se në bashkëpunim me Policinë e Kosovës-Drejtorinë për Hetimin e Krimeve të Rënda (DHKR) në Prishtinë dhe njësive tjera mbështetëse, në bazë të urdhëresës së lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, nga orët e hershme të mëngjesit të ditës së sotme, ka realizuar një aksion, me ç’ rast janë kryer bastisje në disa lokacione në territorin e qytetit të Prishtinës, për shkak të dyshimit të veprës penale “Fajdeja”, sipas KPRK-së. Nga ky aksion i zhvilluar janë arrestuar katër (4) persona të dyshuar, derisa Prokuroria Themelore në Prishtinë, ndaj të njëjtëve do t’i ndërmerre veprimet e mëtejme ligjore.”, thuhet në njoftim./21Media