Policia kërkon ndihmë për gjetjen e të dyshuarit për rastin në “Bon Vivant”

Policia e Kosovës ka publikuar fotografinë e Dukagjin Lekaj, i dyshuar për përfshirje në vrasje në lokalin “Bon Vivant” në Prishtinë. Gjithashtu është kërkuar kontributi i qytetarëve që me informacionet e tyre të ndihmojnë në lokalizimin e vendndodhjes së të dyshuarit të shpallur në kërkim.
Lekaj dyshohet për vrasje të rëndë në tentativë, shkaktim i rrezikut të përgjithshëm, përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm dhe mbajtje në pronësi kontroll ose posedim të pa autorizuar të armëve.
“Me qëllim të zbatimit efikas të procedurës, kërkojmë nga publiku i gjerë kontributin qytetar që me informacionet e tyre të ndihmojnë lokalizimin e vendndodhjes së të dyshuarve të shpallur në kërkim. Ne vlerësojmë lartë bashkëpunimin me komunitetin për një shoqëri pa krim, andaj presim që informacionet tuaja t’i kontribuojnë arrestimit sa më të shpejtë të tyre”, është theksuar në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Ditë më parë një person vdiq, nga katër të plagosurit nga incidenti i ndodhur në lokalin “Bon Vivant”. Ndërsa mbetën të lënduar 17 persona.
U raportua se ngjarja ka ndodhur si pasojë e mosmarrëveshjes në mes të dyshuarve, një prej të cilëve vazhdon të jetë në arrati.