Policia konfirmon praninë në rrugën Mitrovicë-Leposaviq

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka vendosur pika kontrolli të automjeteve në rrugën magjistrale Mitrovicë- Leposaviq.
Sipas Policisë, kjo është bërë “për të garantuar qarkullimin dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë pa dallim, si dhe parandalimin e veprimtarive kriminale dhe kontrabandës në përgjithësi”.
“Menaxhimi dhe kontrolli i situatës së sigurisë në vend vazhdon të jetë prioritet kryesor i Policisë së Kosovës dhe përpjekje maksimale janë duke u bërë për tejkalimin e situatës tanimë disa ditë të tensionuar në veri të Mitrovicës. Në funksion të realizimit të detyrave dhe autorizimeve ligjore Policia e Kosovës ka paraparë planifikime adekuate-operacionale në angazhimin e personelit dhe kapaciteteve të saj në mënyrë sa më racionale në arritjen e objektivave të ligjshme në gjithë vendin me qëllim të krijimit të një ambienti më të sigurt për të gjithë qytetarët pa dallim. Në rrugën magjistrale Mitrovicë–Leposaviq, Policia e Kosovës ka vendosur pika kontrolli të automjeteve për të garantuar qarkullimin dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë pa dallim, si dhe parandalimin e veprimtarive kriminale dhe kontrabandës në përgjithësi”, ka njoftuar Policia.
Policia e Kosovës ka thënë se është e përkushtuar për të ruajtur rendin dhe garantuar sigurinë e përgjithshme në gjithë vendin dhe varësisht prej nevojave të ndërmarrin veprime të nevojshme në teren në funksion të garantimit të ligjshmërisë.
“Falënderojmë qytetarët për bashkëpunimin me Policinë e Kosovës dhe në ofrimin e informatave relevante, si dhe raportimin e rasteve për adresimin e tyre me profesionalizëm dhe në të mirë të gjitha komuniteteve pa dallim”, thuhet në njoftim.
Qysh më 10 dhjetor, kur grupe të serbëve lokalë kanë ngritur barrikada në veri të Kosovës, duke bllokuar rrugët që çojnë kah dy vendkalimet kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak./21Media
 

Back to top button