Policia konfiskon dy armë në dy ahengje të ndryshme në Vushtrri

Njësitet policore në Vushtrri, mbrëmë kanë reaguar në dy lokacione ku kishte informacione për të shtëna me armë në ahengje.
“Informata për të shtëna ishin raportuar në dy lokacione të ndryshme në fshatin Maxhunaj të Vushtrrisë, si rezultat i reagimit të shpejtë të njësive policore ka rezultuar që në dy lokacionet të konfiskohen dy armë të llojit pistoleta, një fishek dhe katër gëzhoja, të cilat dyshohet se janë përdorur në ahengje familjare”, bëhet e ditur në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Në cilësi të të dyshuarve janë arrestuar dy persona, të cilët dyshohet se kanë përdorur armët në ahengje, ndërsa pas procedurave intervistuese dy të dyshuarit me urdhër të prokurorit janë liruar për procedurë të rregullt.
Ndaj tyre janë iniciuar raste për veprën penale “përdorim i armës” dhe “mbajtje në pronësi, kontroll të paautorizuar të armës”.
Policia apelon te qytetarët që të shmangin veprimet e tilla, ku përdorimi i armëve në ahengje është i sanksionuar me ligj./21Media

Back to top button