Rama: S’ka ende projekt për Zvërnecin

Kryeministri Edi Rama deklaroi se nuk ka arsye për shqetësim lidhur me investimin e propozuar në Zvërnec, duke theksuar se ende nuk ekziston një projekt i miratuar. Nga Tivati i Malit të Zi, ku mori pjesë në Samitin BE–Ballkani Perëndimor, Rama tha se debati publik duhet të mbështetet te faktet dhe jo te spekulimet.
Kreu i qeverisë i cilësoi si pjesë të një “lufte hibride” pretendimet që lidhin projektin me zhvendosjen e palestinezëve nga Gaza në Shqipëri, duke akuzuar aktorë të jashtëm iranianë për përhapjen e narrativave të rreme në rrjetet sociale.
“Faktet kanë gjithmonë rëndësi. S’ka arsye për t’u shqetësuar sa kohë që nuk ka projekt”, u shpreh Rama.
Ndërsa lidhur me protestat, ai u shpreh se ato janë pjesë e jetës demokratike, por nuk duhet të devijojnë debatin nga faktet dhe proceset reale të vendimmarrjes.
“Nuk ka të bëjë me ambientalistët, ka të bëjë me një luftë hibride. Armiq të vendit, të gjithë i njohim. Të gjithë ata që e dinë historinë e vendit tonë, i njohin ata, iranianët që janë angazhuar edhe më herët në sulme kibernetike. Na kanë bërë shumë dëme dhe jemi detyruar t’i nxjerrim nga vendi. Janë pjesë e kësaj për të nxitur narrativën, për të thënë që projekti nuk është ajo që thuhet, por është një marrëveshje mes Netanyahut, gatuar nga Jared Kushner për të sjellë palestinezët nga Gaza në Shqipëri. Keni parë video të rreme me qindra mijëra njerëz që bërtasin “Izrael shko në shtëpi”, por në të vërtetë në Shqipëri nuk ka asgjë të tillë. Nga ana tjetër, ata janë vërtet njerëz që kanë një shqetësim, por asgjë nuk është gati, sepse nuk ka një projekt. Do të presim për projektin dhe nuk ka asgjë për t’u shqetësuar”, tha Rama./vizionplus.tv
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?