Policia kujdeset për rendin dhe qetësinë në veri

Situata e përgjithshme e sigurisë në veri të Mitrovicës aktualisht është e qetë dhe pa ndonjë problem.
Nëpër lagjet me popullatë të përzier janë të vendosura forcat e Policisë së Kosovës të cilat po kujdesen për rendin dhe qetësinë publike.
Automjete të KFOR-it dhe EULEX-it shihen po ashtu duke qarkulluar në këto zona, ndërsa qytetarët e këtyre lagjeve tani ndihen më të sigurtë.
Ali Mehmeti, qytetar, tha se prezenca e policisë në këtë pjesë të qytetit është e domosdoshme.
Sipas tij, tani më shumë se kurrë është koha për unitet të qytetarëve, ndërsa sa i përket zgjedhjeve, ai tha se ato duhet të mbahen gjithsesi.
“Normalisht që prezenca e policisë është e domosdoshme sepse mos të ishte policia as ne nuk kishim guxuar dhe sigurisht që s’kishim qëndruar… Unë nuk ndaj tash pozitë dhe opozitë, ata që bëjnë tash ndarjen, kanë bërë tradhti kombëtare… Është budallallëk të mendosh bile (mos të mbahen zgjedhjet), këta këto mundësi i kanë me bë pengesa, jo më shumë dhe nuk kam frikë se do të ketë ndonjë viktimë apo diçka e ngjashme”, tha Mehmeti.
Në orët e mbrëmjes të së enjtes, Policia e Kosovës shtoi praninë në pjesën veriore të vendit pas shpërthimeve dhe gjuajtjeve me armë. Për pasojë, pati edhe një polic të plagosur i cili është operuar në QKUK dhe gjendet jashtë rrezikut për jetën.

Back to top button