Sveçla prezanton Projektligjin për zyrtarët publikë

Tahiri thotë se kërkesat kryesore nga qytetarët i kanë për punësim
Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se Qeveria e Kosovës përmes Projektligjit për zyrtarët publikë po dëshiron të kap Administratën Shtetërore.
Në seancën ku po shqyrtohet ky projektligj, Tahiri tha se i njëjti godet në thelb meritokracinë.
“Ky ligj nuk është ligj për zyrtarët publikë, por është ligji i kapjes së administratës shtetërore. Është i ligji i cili ka për ta goditur në thelb funksionimin e meritokracisë”, tha ai.
Në anën tjetër, Tahiri tregoi edhe ndër kërkesat kryesore që i kanë si deputetë nga qytetarët.
“Nëse ky ligj njëherë hyn në fuqi, kurrë më asnjë parti politike dhe koalicion nuk ka me largu këtë ligj, pasi askush nuk dëshiron me ia këput vetit. Ne po flasim në mënyrë të sinqertë, kërkesat kryesore ne deputetë i kemi për punësim, le të din populli çka po flasim. Neve na thonë ‘a mundeni me na ndihmu në punësim aty, këtu’”, tha ai.
Sveçla prezanton Projektligjin për zyrtarët publikë
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka paraqitur para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, Projektligjin për zyrtarët publikë për të cilin ka thënë se është rezultat i kërkesave të kohës. Ai ka thënë se është e domosdoshme që administrata publike të hapet për të rinjtë, profesionistët dhe diasporën dhe sipas tij ky projektligj e mundëson këtë përmes procedurave të rekrutimit.
Në seancën e Kuvendit ai ka thënë se i njëjti po bëhet për të adresuar nevojat e administratës dhe është kompletuar bashkë me të gjitha palët e interesit.
“Ky projektligj është rezultat i kërkesave të kohës, po bëhet për të adresuar nevojat e administratës, është kompletuar bashkë me palët e interesit por gjatë të të gjitha fazave dhe është sjell këtu në kuvend si produkt i përbashkët institucional që krijon zgjidhje për stagnimin që e ka sjell administrata ndër vite. Është me rëndësi që secili prej nesh përgjatë trajtimit të këtij projektligji të kemi në mendje që një gjë, rekrutimet e mbyllura dhe lëvizja paralele peng i së cilës ka qenë administrata deri tani nuk kanë lejuar që zyrtarët realisht të kenë mundësi të avancohen në karrierën e tyre profesionale dhe të synojnë pozita menaxheriale”, ka thënë ai.
Ministri i Brendshëm ka thënë se gratë duhet të përfshihen më shumë në nivelet drejtuese në administratën publike.
“Të kemi në mendje që kemi vetëm 17 gra në nivele të larta drejtuese nga gjithsej 86 pozita, kemi 73 gra në nivelin e mesëm drejtues nga gjithsej 456 pozita, 5 në 40 gra në nivelin e ulët drejtues nga gjithsej 1774 pozita, dhe nivelin profesional kemi vetëm 4388 gra nga 11 mijë e 509 shërbyes civil”, ka thënë ministri i Brendshëm.
Sveçla ka thënë se fokusi i qeverisë është reformimi i administratës dhe krijimi i mundësive për të gjithë.
“Është e domosdoshëm që administrata publike të hapet për të rinjtë, profesionistët dhe diasporën tonë dhe që ky projektligj e mundëson këtë përmes procedurave të rekrutimit për të cilat ka paraparë se do të bëhen përmes konkurseve të hapura, dhe publike për të gjitha nivelet. Pra me aprovimin e këtij projektligji të gjithë do të kenë mundësi të aplikojnë dhe të jenë pjesë e administratës publike nëse përmbushin kriteret përmes një procesi që garanton meritokraci. E kjo garanci bëhet e mundur për shkak se procesi më i ndjeshëm ai i rekrutimit parashihet të bëhet përmes digjitalizimit si metodë që siguron transparencë, meritokraci dhe efektivitet”, ka shtuar ai.
Ky është shqyrtimi i parë i Projektligjit për zyrtarët publikë.
​Kusari-Lila: Përmes Projektligjit për zyrtarët publikë do të depolitizohet shërbimi civil
Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila tha se përmes Projektligjit për zyrtarët publikë do të depolitizohet shërbimi civil.
Në seancën e Kuvendit, ku u shqyrtua ky projektligj, Kusari-Lila tha se qëllimi kryesor i tij është rregullimi i marrëdhënies së punës të zyrtarit publik përmes përcaktimit të rregullave dhe parimeve për statusin e punës.
“Qëllim kryesor ka rregullimin e marrëdhënies së punës së zyrtarit publik përmes përcaktimit të rregullave dhe parimeve për pranimin, ndryshimin dhe përfundimin e këtij statusi. Kategorizimin e tyre sipas detyrave dhe përgjegjësive që kanë dhe mbi të gjitha qëllim kryesor ka që të qartësojë elementet e marrëdhënies mes zyrtarit publik dhe shtetit si punëdhënës. Ky qartësim do të ndikojë në rritjen e efikasitetit, profesionalizmit dhe depolitizimit të shërbimit civil. Parimet bazë që janë propozuar për pranimin në punë si zyrtar publik, si parimi i barazisë, meritokracisë dhe transparencës do të jetësohen përmes konkurseve të hapura”, tha ajo.

Back to top button