Policia merr masa për protestën e veteranëve

Policia e Kosovës me qëllim të ruajtjes së rendit dhe qetësisë publike si dhe mbarëvajtjes së protestës së lajmëruar për nesër nga Veteranët e UÇK-së, ka bërë përgatitjet e nevojshme operacionale policore.
“Sot, më 15.06.2022, zyrtarë nga PK-ja, kanë zhvilluar një takim njoftues me përfaqësues të Shoqatës së Veteranëve të UÇK-së me qëllim të njoftimit rreth organizimit të protestës, vendit dhe kohës së mbajtjes së saj dhe masave tjera që lidhen me zhvillimin e protestës. Policia e Kosovës e njeh të drejtën e shprehjes së lirë, pakënaqësive (protestës) si e drejtë ligjore. Lidhur me këtë lajmërim PK-ja, ka filluar me kohë përgatitjen dhe ndërmarrjen e masave që kanë për qëllim mbarëvajtjen e protestës, ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, ofrimin e sigurisë
për qytetarët, mbrojtjen e pronës dhe ofrimin e sigurisë në trafik”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Me këtë rast Policia fton të gjithë qytetarët, përfshirë pjesëmarrësit në protestë që protesta të zhvillohet e qetë duke respektuar ligjet e vendit
dhe që kërkesat e tyre t’i shpalosin në mënyrë demokratike e ligjore.
Veteranët e luftës së UÇK-së protestuan edhe javën e kaluar./21Media

Back to top button