Policia në aksion për identifikimin e rasteve të keqtrajtimit të fëmijëve
Policia e Kosovës ka filluar një plan operativ që ka për qëllim identifikimin e fëmijëve në situatë rruge si viktima të mundshme të trafikimit.
Policia në raportin 24 orësh ka raportuar për katër raste të keqtrajtimit të fëmijëve në qytete të ndryshme të Kosovës.
Në Prishtinë dje rreth orës 14:25 është arrestuar një grua pasi që e njëjta është hasur me fëmijën e saj duke kërkuar lëmoshë. Me vendim të prokurorit e dyshuara është liruar dhe rasti shkon në procedurë të rregullt.
E ngjashëm edhe në Shesin Fadil Vata në Suharekë dje rreth orës 14:30 është arrestuar një grua, pasi që e njëjta së bashku me fëmijën e saj ka qenë duke kërkuar lëmoshë. Me vendim të prokurorit pas intervistimit e dyshuara është liruar dhe rasti shkon në procedurë të rregullt.
Kurse në Deçan dje rreth orës 12:30 është arrestuar një grua pasi që e njëjta është hasur së bashku me fëmijën e saj të cilën e shfrytëzonte për të kërkuar lëmoshë nëpër qytet .Me vendim të prokurorit pas intervistimit po ashtu e dyshuara është liruar në procedurë të rregullt.
Ndërsa në rrugën Remzi Pula në Gjakovë, dje rreth orës 14:00 lidhur me planin operativ ,,identifikimi i fëmijëve në situatë rruge si viktima të mundshme të trafikimit ‘’është arrestuar një grua dhe janë identifikuar tri viktima-fëmijë femra kosovare. Me vendim të prokurorit e dyshuara është liruar në procedurë të rregullt.
Lidhur me planin në fjalë për portalin rtv21.tv ka folur zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Bajram Krasniqi. Ai ka thënë se “identifikimi i fëmijëve në situatë rruge si viktima të mundshme të trafikimit ‘’ ka filluar gjatë 24 orëshit të kaluar dhe ka bërë të ditur se pas përfundimit të këtij plani policia do të dalë me njoftime rreth realizmit./21Media