Policia në gjah të “zullumqarëve” në Kuvend, 7 padi të reja penale

Një person i identifikuar është suspenduar nga puna

Njëri nga personat e identifikuar nga policia, për pjesëmarrje të dhunshme në Kuvend është edhe Mitko Mijajlovski nga Ohri. I punësuari në MPB që nga viti 2006, tani është i suspenduar nga puna, për shkak të pjesëmarrjes në turmën e 27 prillit në Kuvend.

Përvojë të hidhur nga ky ish-pjesëtari i “Alfas”, kishte edhe Zamir Mehmeti, njëri nga organizatorët e protestës së “Revolucionit të larmë”. Ai thotë se Mitko Mijajlovski, në cilësinë e policit i kishte përndjekur organizatorët e protestës së një viti më parë, në mënyrë jo profesionale, shkruan tv21.tv

“Ai është pamja e hidhur e policisë së shtetit sot. Nuk do të gjeneralizoj se të gjithë punonjësit në MPB janë të tillë, por një numër i madh janë jo profesionist. Këtë e pamë me 27 prill kur ishte një ndër ditët më të përgjakshme në demokracinë tonë. Shumë policë ishin të kyçur, edhe këtë person e kam parë në incizime dhe e kam njohur se kush është”, u shpreh Zamir Mehmeti, Organizator i protestës “Revolucionit të larmë”.

Njëri ndër personat, i cili gjatë hyrjes së protestuesve në Kuvend, përshëndetej me policin është Jane Popovski. Ai ka një kafene në çarshinë e vjetër të Shkupit. Prej asaj ditë kur Popovski u pa si pjesëmarrës në turmë, qytetarët më nuk po shkojnë në këtë kafene. Kështu thotë shoku i tij, Safet Saliu.

“Nuk është më njëjtë, prej asaj dite ai e ka mbyll shoqërinë, i ka prish raportet e mira me shqiptarët. Personalisht me mua, që jemi shokë prej kohësh. E kam njohur mirë, por ai e ka treguar veten se çfarë gabimi ka bërë dhe tani ai nuk është më pronar i atij lokali”, tha Safet Saliu, qytetar.

Në lidhje me ngjarjet që ndodhën në Kuvendin më 27 prill,  Sektori për Punë të Brendshme – Shkup ka ngritur kallëzime penale kundër shtatë personave.

Sipas policisë, N.V. 39 vjeç ka goditur deputetin Ziadin Sela, deri sa ishte i shtrirë në dysheme. I.K. 37 vjeç ka sulmuar fizikisht sigurimin e Zoran Zaevit. A. P. 39 vjeç ka hedhur mjete të forta ndaj deputetëve.

Ndaj këtyre tre personave policia ka dyshime të pjesëmarrjes në turmë që do të kryej vepër penale, sipas nenit 385 të Kodit Penal. Ndaj katër personave të tjerë, në mesin e të cilëve edhe Goran Angelov nga Velesi, policia ka dyshime të pjesëmarrjes në turmë që do të pengoj personin zyrtarë në kryerjen e detyrës zyrtare, sipas nenit 384 të Kodit Penal./21Media

 

Back to top button