Policia për RTV21: Aktualisht situata në veri është e qetë

(Lajm i përditësuar)

Policia e Kosovës tha se situata në komunat veriore të Kosovës aktualisht është e qetë.

Zëdhënësi i Policisë, Baki Kelani për portalin rtv21.tv tha se po vazhdon monitorimi i situatës në komunat veriore nga policia dhe institucionet relevante të sigurisë.

“Policia e Kosovës, bazuar në detyrat dhe autorizimet e saj ligjore e kushtetuese, në bashkëpunim dhe koordinim me institucionet e sigurisë, po vazhdon angazhimet policore në zbatim të rendit dhe sigurisë publike, si dhe ndërmarrjen e masave konform situatës dhe zhvillimeve në komunat veriore. Protestat e dhunshme dhe zhvillimet e ndodhura në veri të vendit, kan bërë që situata të jetë e tensioniar dhe e brishtë, por sot aktualisht situata është e qetë. Monitorimi i situatës dhe angazhimet policore të koordinuara me institucioneve relevante të sigurisë, si zakonisht po vazhdojnë në komunat veriore”, tha Kelani./21Media


​Situatë e qetë në veri, numri i protestuesve simbolik

Në tri komunat veriore të vendit, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, ku serbët po protestojnë kundër prezencës së Policisë së Kosovës dhe kryetarëve shqiptarë të këtyre komunave, nata kaloi e qetë.

Pjesëtarë të KFOR-it dhe të Policisë së Kosovës po vazhdojnë të qëndrojnë pranë dhe brenda ndërtesave komunale.

Në Zveçan, një grup i vogël protestuesish qëndruan gjatë tërë natës afër objektit komunal.

Në momentin kur po raportojmë, situata e përgjithshme në këto komuna paraqitet e qetë. Ndërsa numri i protestuesve është simbolik.

Protestuesit serbë po kundërshtojnë hyrjen e kryetarëve shqiptarë në ndërtesat komunale. Situata në këto komuna është tensionuar të premten e 26 majit kur kryetarët e betuar janë detyruar të hyjnë në zyrat e tyre të punës nën asistencën e Policisë së Kosovës. Të hënën (29) protestuesit me maska e edhe ata pa maska kanë ushtruar dhunë ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe gazetarëve. Ata kanë hedhur gjësende të ndryshme në drejtim të paqeruajtësve, derisa kanë dëmtuar e djegur vetura të mediave.

Back to top button