Policia po monitoron në teren gjendjen rreth situatës me të reshurat e shiut

(Lajm i përditësuar)
Derisa ende ka të reshura të dobëta shiu dhe prurjet e ujit në lumenj është më i lartë, angazhimet policore janë të vazhdueshme në monitorim, ndihmë qytetarëve dhe raportim për situatën në teren.
Sipas raportimeve të sotme, nivel më të shtuar të ujërave si pasojë e reshjeve të ditëve të fundit ka në pjesën veriore dhe veri-perëndimore të vendit. Nga raportimet e rregullta që dërgohen nga njësitet policore nga tereni, sot probleme si pasojë e ujërave atmosferike ka në rajonin e Mitrovicës, përkatësisht në rrugën  Pestovë-Druare–Prelluzhe-Plemetin të komunës së Vushtrrisë dhe rrugët  ‘2 Korriku’ dhe ‘Hoxhë Hasan Tahsini’, në komunën e Mitrovicës Jugu dhe në Lagjen e Boshnjakëve në Mitrovicë Veri ku ka nivel të rritur të ujit.
Nga raportimet e fundit nga rajonet tjera nuk ka situata ku lumenjtë kanë dalë nga shtrati ose të ketë vërshime. Policia apelon tek qytetarët që për çdo rast të kërkesave për ndihmë, të thërrasin në numrat përkatës të institucioneve si policia, AME, komunat përkatëse, apo zjarrfikësit.
Vërshimet, Krasniqi: Qeveria të mblidhet me urgjencë e të ndaj fonde
Lideri i opozitës, Memli Krasniqi i ka kërkuar Qeverisë së Kosovës që të mblidhet me urgjencë e të ndajë fonde finaciare për komunat e prekura nga vërshimet.
Ai përmes një postimi në rrjetet sociale e ka cilësuar si jashtëzakonisht të rëndë gjendjen në Skënderaj, Mitrovicë, Istog dhe Podujevë,“Shtëpitë e dëmtuara e të pabanueshme, dëmet ekonomike dhe shkëputja totale nga normaliteti, e kanë bërë situatën emergjente dhe për këtë kërkohet reagim i shpejtë.Përkundër se komunat janë në krye të detyrës, kjo barrë është më e madhe sesa që ato mund ta përballojnë. Andaj, ftoj Qeverinë e Kosovës që të mblidhet me urgjencë, sa më parë, dhe të marrë vendim për të ndarë fonde financiare emergjente për komunat e prekura, si dhe t’iu përgjigjet përmbushjes së nevojave të tyre, për sanimin e gjendjes dhe strehimin sa më të shpejtë të njerëzve në shtëpitë e veta”, ka shkruar kryetari i PDK-së në Facebook.
Krasniqi po ashtu ka thënë se është frymëzim shembulli i qytetarëve për solidaritet me njëri- tjetrin.
“por koha kërkon veprim me përgjegjësi institucionale e shtetërore. Qeveria duhet të marrë përgjegjësinë e saj, sot dhe menjëherë.”, ka përfunduar ai.
14:00- Raporti fillestar, dhjetëra miliona euro dëme nga vërshimet në Skenderaj
Dhjetëra miliona euro vlerësohet të jetë dëmi i shkaktuar nga vërshimet në Skenderaj.
Kjo u bë e ditur nga kryetari i kësaj komune, Fadil Nura përmes një postimi në rrjetet sociale pas takimit me drejtorët komunal.
Ai tregoi se dëme kanë pësuar familjet, bizneset e tokat bujqësore.
“Nga takimi i mëngjesit të sotëm me drejtorët komunal, pas një pune kolosale gjatë ditës së djeshme deri në mesnatë, nga të gjitha ekipet e Shtabit Emergjent, rreth raportimit të vlerësimit fillestar të dëmeve nga vërshimet në zonat e prekura, me qindra familje që kanë pësuar nga kjo fatkeqësi, me qindra biznese e sipërfaqe të mëdha të tokës bujqësore, ku përllogaritjet flasin për dëme në vlerën e dhjetëra miliona eurove.”, shkroi Nura Në Facebook.
10: 10- MPB: Uji po largohet me pompa në shtëpitë dhe në zonat ku ka pasur përmbytje
Kosova ka kaluar një natë të qetë pas ndaljes së reshjeve të shiut, vlerëson Qendra Operative Emergjente e Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Megjithatë sipas njoftimit të kësaj qendre gjatë natës së kaluar ka pasur intervenime të ndryshme në zona të caktuara.
“Njësitet profesionale të AME-së po vazhdojnë angazhimin me pompa për largimin e ujit në shtëpitë dhe në zonat ku ka pasur përmbytje nga vërshimet. Aktualisht, po intervenohet edhe në infrastrukturën e prekur nga vërshimet në mënyrë që shërbimet dhe qarkullimi për qytetarët të normalizohet. Në fokus vazhdojnë të jenë kërkesat dhe nevojat e familjeve që janë evakuuar dy ditët e fundit.”, thuhet në njoftim.
Në fund Qendra Operative Emergjente e Ministrisë së Punëve të Brendshme bën të ditur se do të vazhdojë koordinimin ndër-institucional me qëllim të reagimit në rastet e nevojshme dhe ndaj kërkesave të mundshme që do i pranojë nga Komunat dhe nga qytetarët.
Probleme me energjinë dhe ujin e pijshëm, pasojat e vërshimeve në Kosovë
Vërshimet në Kosovë që nisën të enjten,si pasojë e reshjeve të shiut, shkaktuan dëme të shumta në disa komuna. Skënderaj, Mitrovica, Istogu dhe Deçani janë ndër komunat më të prekura nga këto vërshime.
Veç dëmve materiale, në disa shkolla ditën e premte nuk është mbajtur mësim.
Vërshimet gjithashtu kanë shkaktuar edhe pengesa në rrjetin energjetik. KEDS ka njoftuar se rajoni më i prekur me reduktime të energjisë vazhdon të jetë Mitrovica.
Policia e Kosovës dhe Qendra Operative e Ministrisë së Punëve të Brendshme po vazhdon me aktivitetet e tyre në përballimin më të lehtë të kësaj situate. Shqipëria ka vendosur t’i ndihmojë Kosovës pas situatës së rëndë të krijuar pas vërshimeve dhe reshjeve intensive disaditore.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani mbërmë ka vizituar Klinën, Skenderajn e Mitrovicën, teksa ka ofruar mbështetjen institucionale dhe ka potencuar se jeta, shëndeti dhe pronat e qytetarëve, janë prioritet absolut, ndaj nevojitet angazhim dhe solidaritet i të gjithëve në një situatë të tillë.
Në anën tjetër, pas vërshimeve Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike vazhdimisht ka bërë thirrje që të vlohet uji i pijes që qytetarët e përdorin nga ujësjellësi ose bunarët, pasi reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar trubullira./21Media

Back to top button