Policia publikon foto nga aksidentet, apelon për kujdes të shtuar në rrugë
Policia e Kosovës ka apeluar te të gjithë pjesëmarrësit në trafik që të kenë kujdes më të shtuar, të respektojnë rregullat dhe shenjat e trafikut rrugor si dhe t’u përshtaten kushteve të rrugës, për të pasur një siguri më të madhe në trafik.
Mosrespektimi i rregullave të trafikut, vozitja e pa kujdesshme, tejkalimi i shpejtësisë, mospërshtatja e ngasjes me kushtet e rrugës, tejkalimi në vendet e ndaluara dhe kundërvajtjet tjera sipas Policisë janë disa nga shkaktarë e aksidenteve me pasoja fatale e dëme materiale.
“Duke pasur parasysh se jemi në sezonin veror, me ç’ rast është shtuar fluksi i automjeteve, ardhja e bashkatdhetarëve ku ditëve të fundit vërehet edhe rritje e numrit të aksidenteve përfshirë aksidentet me lëndime dhe me fatalitet, Policia e Kosovës ka shtuar aktivitetet e saj me prezencë të shtuar policore përmes pikave të kontrollit të automjeteve dhe patrullimit në lëvizje, me qëllim të ofrimit të sigurisë në trafikun rrugor, parandalimin e aksidenteve e kundërvajtjeve si dhe ndërgjegjësimin e përdoruesve të rrugës”, ka thënë Policia.
Vetëm gjatë ditës së hënë më 25 korrrik kanë ndodhur 86 aksidente, dy prej tyre me fatalitet./21Media