Policia publikon pamjet e grabitjes, kërkon ndihmë për identifikimin e të dyshuarve

Policia e Kosovës ka publikuar sot pamjet e një grabitjeje që ka ndodhur në shtator 2023 në rrugën Pejë-Radavc-Kullë në rrugën “Mulla Zekë Bërdynaj”.
Në një njoftim në Facebook policia ka kërkuar ndihmën e qytetarëve për identifikimin e keqbërësve.
“Sektori Rajonal i Hetimeve, është duke punuar lidhur identifikimin dhe kapjen e kryerësve të mundshëm për veprën penale “Grabitje” të datës 20 shtator 2023 në rrugën magjistrale Pejë-Radavc-Kullë në rrugën “Mulla Zekë Bërdynaj”. Andaj është kërkesë e hetuesve rajonalë, të cilët janë të angazhuar me rastin për të bërë publikimin e video-incizimit nga vendi i incidentit i siguruar nga kamerat e sigurisë me qëllim të ofrimit ndihmë nga qytetarët për identifikimin e personave që shihen në video-incizim”, thuhet në njoftim.
Po ashtu thuhet se për publikimin e pamjeve është dhënë autorizimi nga Prokurori i Shtetit.