Pompeo: SHBA-ja e gatshme për normalizimin e plotë të marrëdhënieve Kosovë-Serbi

 

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti gjatë vizitës zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sot është takuar me Sekretarin e Shtetit, Michael Pompeo.

Pompeo e ka uruar Hotin për arritjen e marrëveshjes për normalizimin e raporteve ekonomike ndërmjet Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë, marrëveshje kjo që u nënshkrua në Shtëpinë e Bardhë në prani të presidentit të SHBA-ve, Donald Trump.

Kurse, Hoti, në emër të qeverisë dhe popullit të Kosovës, falënderoi  SHBA-në për mbështetjen e vazhdueshme që i ka dhënë dhe po i jep Kosovës.

Në një komunikatë të d9rguar për media bëhet e ditur se, Hoti duke vlerësuar rëndësinë që ka marrëveshja e arritur sot në Shtëpinë e Bardhë,  potencoi gatishmërinë e Kosovës për vazhdimin e dialogut me Serbinë, që çon në njohje reciproke ndërmjet të dyja vendeve.

Me këtë rast, Hoti shprehu përkushtimin e Qeverisë së Kosovës, në procesin e integrimeve europiane dhe euroatlantike.

Në anën tjetër sekretari Pompeo theksoi gatishmërinë e SHBA-ve për të mbështetur Kosovën në procesin e dialogut dhe normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. /21Media 

Back to top button