”Populli i Kosovës i kupton më së miri përjetimet e popullit boshnjak”

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, sot, me rastin e masakrës së Srebrenicës ka kujtuar mijëra jetë të shuara nga regjimi i Millosheviqit.
Sipas Haradinajt njerëz të pafajshëm kanë pësuar nga projektet shoviniste.
”Njerëz të pambrojtur e pa asnjë faj, përfshirë edhe fëmijë, gra e të moshuar, pësuan nga projektet shoviniste të realizuara përmes gjenocidit. Populli i Kosovës, i cili ishte po ashtu viktimë e të njëjtit terror shtetëror, i kupton më së miri dhembjet, përjetimet dhe vuajtjet e popullit boshnjak dhe bashkëndjen me ta”, ka shkruar Haradinaj në facebook.
Ndryshe, Bosnja e Hercegovina sot shënon 26 vjetorin e masakrës së Srebrenicës. Kjo masakër është më e rënda në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore. Në korrik të vitit 1995, forcat serbe të Bosnjës kanë vrarë mbi 8 mijë burra dhe djemë myslimanë në enklavën e Srebrenicës, që ishte caktuar si ”vend i sigurt” nga Kombet e Bashkuara. Ndërsa në seancën e 7 korrikut (2021), deputetët e Kuvendit të Kosovës me 89 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim kanë miratuar rezolutën për dënimin e gjenocidit në Srebrenicë. /21Media

Back to top button