Porfirije-murgjve në Manastirin e Deçanit: Nuk mbrohet Kosova në Youtube e Twitter

(Lajm i përditësuar)


Patriarku Porfirije ka mbërritur mëngjesin e sotëm në Manastirin e Deçanit, ku iu drejtua murgjve dhe abatit Sava, ka thënë se Kosova nuk mbrohet në Youtube e as në Twitter.

Porfirije theksoi se kur investoni në trazira, korrni trazira dhe kur investoni në paqe, paqen si dhuratë nga Zoti, si paqe shpirtërore, atëherë është Zoti që korr paqen në emrin tonë, raporton “Danas”.

“Mbani mend, mos e mbroni paqen, harmoninë, dashurinë, as Kosovën në YouTube dhe Twitter, por ejani dhe shikoni, merrni një pjesë të kryqit dhe një pjesë të dhimbjes, ndani të mirat që keni, le të jetë shpatulla juaj gati për të pushuar një kokë që është e lodhur dhe atëherë kur ju dhe kushdo tjetër të keni nevojë, Zoti do të kujdeset që edhe ne të kemi paqe dhe dashuri”, tha Patriarku Porfirije.

Ai u bëri thirrje besimtarëve ortodoksë që të shkojnë në Manastir e të takojnë njerëz e të shkëmbejnë dyshimet dhe dilemat që kanë.

“Prandaj është e rëndësishme të vini këtu, të takoni njerëzit që jetojnë këtu, të dëgjoni dyshimet dhe dilemat e tyre, si dhe që ata të dëgjojnë tuajat. Në atë dëgjim, me siguri do të lindë diçka e vlefshme. E përsëris edhe një herë, gjëja më e rëndësishme është të dihet se mirëkuptimi, harmonia dhe paqja nuk mund të arrihet me trazira”, tha patriarku ortodoks serb.


Kosova i dha leje Patriarkut serb për vizitë

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës ka konfirmuar se përmes rrugëve zyrtare kanë pranuar kërkesën për të lejuar Patriarkun e Kishës Ortodokse Serbe për të vizituar Kosovën.

MPJD për portalin rtv21.tv ka treguar se pas shqyrtimit të kërkesës ka vendosur që të lejojnë Porfirijen që të nis vizitën e tij në Kosovë.

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës njofton se përmes kanaleve zyrtare, ka pranuar kërkesën për lejimin e vizitës të Patriarkut të Kishës Ortodokse Serbe (KOS), Porfirje në Republikën e Kosovës. Pas shqyrtimit të kërkesës, MPJD e ka aprovuar vizitën e Patriarkut Porfirije”, thuhet në përgjigjen e MPJD-së.

Tutje MPJD-ja për portalin rtv21.tv ka thënë se Patriarku i Kishës Ortodokse Serbe, Porfirije sipas marrëveshjes së Brukselit dhe procedurave zyrtare të Republikës së Kosovës, me datë 27.12.2023 kishte kërkuar lejimin e vizitës së tij në Kosovë në prag të shënimit të Krishtlindjeve Ortodokse.

“Pas shqyrtimit, kërkesa është aprovuar me udhëzime të qarta që delegacioni të përmbahet nga përdorimi i gjuhës së urrejtjes në raport me qytetarët dhe Qeverinë e Republikës së Kosovës dhe t’i përmbahet agjendës së vizitës”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë.

Nga ana tjetër, Serbia ka refuzuar pa asnjë arsyetim kërkesën e Ministrit të Punëve të Brendshme të Republikës së Kosovës, Xhelal Sveçla për lejimin e vizitës së tij në Luginën e Preshevës.

MPJD thotë se një refuzimi i tillë dëshmon destruktivitetin e Serbisë dhe mosrespektimin e marrëveshjeve të arritura më parë.

“Gjatë realizimit të vizitës, delegacioni në fjalë ndërkohë në mënyrë jo formale ka kërkuar ndryshimin afatshkurtër të agjendës, mirëpo nga Republika e Kosovës një kërkesë e tillë është refuzuar. Republika e Kosovës qëndron e përkushtuar në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon, duke respektuar të drejtën për lëvizje të lirë dhe liritë fetare”, ka thënë MPJD./21Media

Back to top button