Portieri i Liqenit, Gashi: Synojmë të thyejmë tabu në arenën ndërkombëtare

 
Klubi i Futsallit Liqeni ka arritur një sukses të jashtëzakonshëm duke siguruar pjesëmarrjen në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve të këtij sporti.
Klubi kosovar triumfoi me rezultat të ngushtë 3-2 ndaj kampionit të Gjermanisë Weilimdorf që ishte ndeshje vendimtare se cila prej këtyre dy skuadrave do të vazhdonte më tutje.
Skuadra tashmë është kthyer në Kosovë derisa do të pres shortin për të mësuar rivalët e tyre në fazën tjetër e njohur si “Main Raund”.
Përveç Weimlimdorfit, Liqeni fitoi edhe ndaj skuadrës turke Tavsanqai me rezultat 5-0 dhe asaj angleze London Helvecia.
Trajneri i klubit nga Drenasi Shpend Ibrahimi tha se të tri ndeshjet ishin shumë të vështira por që ishte bërë një analizë e mirë e kundërshtarëve për të arritur suksesin e sotëm.
“Aventurë shumë e mirë, ndeshja, të tri kanë qenë të vështira por ne nga fillimi i hedhjes së shortit të grupeve e kemi ditur çfarë niveli janë, e kemi ditur me kë kemi të bëjmë. I kemi shikuar të gjitha detajet…i kemi analizuar pikat e dobëta të tyre si dhe mbrojtjen e tyre ku i kanë mangësitë e dobëta që të arrijmë ta fitojmë lojën edhe kemi dalë me sukses…Që nga fillimi jemi përgatitur mirë për ta kalojmë këtë raund për të dalë në “Main Raund.”., tha Ibrahimi
Ndërsa portieri i skuadrës së Liqenit Fidan Gashi tha se konkurrenca në këtë fazë ishte shumë e madhe dhe se të gjitha ndeshjet përfunduan me rezultat të ngushë.
“Eksperienca ka qenë shumë e mirë, ka qenë pak a shumë eksperience e pritshme nga pasi që shumë lojtarë në skuadrën tonë bëjnë pjesë edhe në ekipet e kaluara që kanë marrë pjesë në Ligën e Kampionëve kështu që nuk është diçka e re për ne…Ekipet kanë qenë mjaftë të forta ,..ndeshjet do të thotë që nuk kanë qenë të lehta fare, kanë qenë tri ndeshje mund të them derbi pasi që secila ndeshje ka përfunduar me rezultat të ngushtë, me rezultat të deri në minutat e fundit që nuk është ditur epilogu përfundimtar.”, tha Gashi.
Më tutje Gashi e vlerësoi lartë kualitetin e klubeve të futsallit në Kosovvë duke thënë se cilësia e ekipeve në futsallin vendor po jep rezultatet të mira edhe në arenën ndërkombëtare.
“Kosova ka një futsall shumë të zhvilluar, do të thotë në rajon është i vetmi vend që ka dy liga, Superligën dhe Ligën e parë të futsallit gjë që në rajon as Superligë nuk ka kështu që është një eksperiencë shumë e mirë për të gjithë lojtarët e Kosovës. Konkurrenca është shumë e madhe, është do të thotë viti i pestë radhazi që nuk del dot një ekip dy herë radhazi kampion kështu që kjo tregon se ekipet janë cilësore, cilësia e ekipeve po rritet, cilësia e lojtarëve po rritet kështu që është shumë privilegj edhe normal që është një ndjenjë shumë e mirë por duke pasur konkurrencën shumë të mirë te Kosova kjo edhe po jep rezultatin në arenën ndërkombëtare.”, tha Gashi.
Në fund gardiani i portës së Liqenit tha se ekipi i tij synon që të shkojë edhe një hap më larg se sa ekipet tjera të Kosovës në arenën ndërkombëtare.
“Pritjet e mia normal janë si gjithë skuadra kështu që presim të vazhdojmë me fitore, të vazhdojmë ta përfaqësojmë në radhë të parë ekipin, do të thotë që nuk jemi rastësisht kampion në Kosovë kështu që ne kemi pretendime prapë ta vazhdojmë suksese e ekipeve të kaluara që e kanë pasur ose eventualisht edhe të thyejmë tabun që të kalojmë një raund më lartë.”, tha Gashi.

Back to top button