Pozita dhe opozita të ndarë për Raportin për Kosovën

Të gjeturat e Raportit të Komisionit Evropian për Kosovën janë vlerësuar si pozitive në aspektin ekonomik nga partia në pushtet, por nga opozita kanë thënë se të gjeturat e këtij raporti janë shqetësuese për vendin. Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se performanca e qeverisjes aktuale është e vlerësuar e dobët, përfshirë këtu edhe çështjen e korrupsionit.
Ai sa i përket çështjes që Kosova nuk ka marr rekomandimin për nisjen e negociatave, tha se kjo ka ndodhur për shkak të qasjes së Qeverisë së udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, në marrëdhëniet me BE-në dhe për shkak të sanksioneve.

“Është pritur që vlerësimi do të jetë me mjaftë çështje që janë shqetësuese për vendi edhe janë adresuar shumica e këtyre shqetësimeve. Pra performanca e qeverisjes është e vlerësuar dobët e po ashtu ka shumë fenomene të cilat janë identifikuar veç e veç. Ju e cekët çështjen e korrupsionit por ka edhe shume çështje të tjera”, tha ai.

Ndërsa, sa i përket çështjes që Kosova nuk ka marrë rekomandimin për nisjen e negociatave me BE-në, Haradinaj theksoi se kjo ka ndodhur për shkak të qasjes së Qeverisë Kurti në marrëdhëniet me BE-në dhe për shkak të sanksioneve.

“Ju jeni në dijeni që ne jemi të ndëshkuar nga BE-ja. Kemi sanksione edhe financiare ekonomike politike. E kuptohet pra Kosova nuk është se ka ecë përpara por ka mbetur parapa në marrëdhëniet me BE-në. Dhe ato reflektojnë edhe ne këtë raport edhe fatkeqësisht pasojat e atyre marrëdhënieve i kemi në jetën e përditshme”, tha Haradinaj.

Se Kosova ka vërejtje të shumta në këtë raport e thotë edhe deputeti nga PDK, Ferat Shala. Ai tha se në Raportin për Kosovën janë parë një varg vërejtjesh serioze sa i përket zhvillimit ekonomik të vendit, për të cilat shtoi se faktori vendimmarrës ekzekutiv duhet të punojë me shumë në ndryshimin e këtyre politikave zhvillimore të vendit.
“Raporti i Progresit ka dhënë vërejtjet serioze sa i përket rënies së zhvillimit ekonomik, pra kemi një rënie graduale, në vend që të kishim një rritje dhe i ka ngritur shqetësimet në problemin strukturor, siç janë çështja e korrupsionit, papunësisë, në theks të veçantë e papunësisë së gruas dhe të rinjve, çështja e mosfunksionimit mirë të ligjit, si dhe ekonomia informale e kështu me radhë. Pra, një varg të gjeturash në Raportin e Progresit të cilat do duhej ta sensibilizojnë faktorin vendimmarrës ekzekutiv dhe politik në ndryshimin e këtyre politikave zhvillimore të vendit”, tha Shala.

Sa i përket korrupsionit, Shala tha se Qeveria nuk ka ndjekur hapat e nevojshëm në ketë drejtim.

“Është një shqetësim i përgjithshëm i shoqërisë tonë, por që fatkeqësisht qeveria nuk ka nxjerrë dhe nuk ka ndjekur hapat e nevojshëm sa i përket luftës informale dhe korrupsionit”, shtoi Shala.

Ndërkaq, deputeti i Vetëvendosjes, Armend Muja për KosovaPress ka cilësime të kundërta sa i përket këtij raporti. Muja tha se ë bazë të Raportit të Progresit, Kosova vazhdon të ketë elemente pozitive në aspektin ekonomik.

Sipas tij, në dy vitet e fundit me ardhjen në pushtet të VV-së, vendi ka shënuar rritje ekonomike.

“Në aspektin ekonomik Kosova vazhdon edhe në vitin 2022 edhe këtë vit krahas Malit të Zi në terma rajonal është duke ecë me hapa të shpejtë. Aty referohet 3.5 për qind, mirëpo shifra tashmë është 5.3 për qind rritja ekonomike për 2022 në bazë të dhënave të ASK dhe ajo duhet të përditësohet. Pash shumë elemente pozitive, Kosova prin për nga mbledhja e tatimeve, progres të ngjashëm nuk ke vërejtur tek vendet tjera, që është shenjë e vendosjes së rregullit në shoqëri, edhe qeverisjes së mirë…Ndërsa sa i përket korrupsionet sheh gjithë indekset botëror të cilët po ashtu i raporti i progresit nëse shkoni tek aneksi i referohen, Kosova si në Ëorld Justice Project si të transparence internacional prin nga lufta kundër korrupsionit. Sado që kjo është një betejë afatgjate, por që progresin më të madh e ka bërë në dy vitet e fundit”, tha Muja.

Raporti i Komisionit Evropian për Kosovën një vëmendje i ka kushtuar edhe luftës që ka bërë Kosova kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, duke theksuar se vendi ynë është në mes të një faze të hershme në luftën kundër këtyre dy dukurive.

Sipas Raportit, Kosova është në mes të një faze të hershme dhe një niveli të përgatitjes në luftën kundër korrupsionit.

Në këtë raport thuhet po ashtu se zbatimi efikas i llogaridhënies menaxheriale mbetet një sfidë për përdoruesit e buxhetit si në nivel qendror ashtu edhe në atë lokal. Kosova duhet të sigurojë zbatimin e vazhdueshëm të standardeve ndërkombëtare të auditimit të brendshëm dhe të delegojë më mirë kompetencat menaxhuese në entitetet publike./kp

Back to top button