Pranë largimit nga Lazio, Muriqi pritet të transferohet në Belgjikë

Pas disa paraqitjeve tejet të mira në fanellën e Mallorcas, sulmuesi kosovar, Vedat Muriqi u rikthye tani te skuadra e Lazios.
Sezonin e kaluar, Muriqi iu bashkua Mallorcas në formë huazimi në muajin janar, pasi që nuk konsiderohej më në planet e trajnerit Maurizio Sarri.
Tani, Muriqi u rikthye në Serie A, ndërsa nuk pritet që qëndrimi i tij të zgjasë shumë.
Siç raportohet nga gazetari i njohur, Gianluca DiMarzio, Vedat Muriqi tani ka vëmendjen e gjigantit belg, Club Brugge, i cili thuhet se është i interesuar seriozisht në sulmuesin kosovar.
Marrëveshja mund të arrihet nëse të dy klubet kanë akord të plotë për shitje permanente të Muriqit dhe jo transferim në formë huazimi.
Në sezonin e kaluar, Vedat Muriqi nuk ka gjetur hapësira të mëdha te Lazio, ku ka dalë në fushë vetëm 15 herë, pa shënuar gola, duke grumbulluar mesatarisht vetëm 26 minuta për ndeshje.
Gjithashtu, për këtë arsye ai është dërguar në formë huazimi te Mallorca në gjysmën e dytë të sezonit, me ç’rast ka treguar paraqitje tejet të mira duke regjistruar pesë gola dhe tri asistime në 15 ndeshje në të gjitha garat.

Back to top button