Kaloni te përmbajtja kryesore

Pranoi se shkaktoi aksidentin në Shtime ku vdiqën dy fëmijë, ky është dënimi që mori

Visar Morina ka pranuar se nga pakujdesia kishte shkaktuar aksident me veturë duke i goditur dy fëmijë të cilët pastaj edhe kishin vdekur, ngjarja kishte ndodhur në fshatin Caralevë në maj të këtij viti dhe i njëjti është dënuar tre vite burgim.
Sipas aktgjykimit të shpallur nga gjykatësja e çështjes, Mimoza Shabani, dënimin me burgim prej tre viteve do ta vuaj pasi aktgjykimi të merr formën e prerë, të njëjtit do t’i llogaritet koha e kaluar në paraburgim nga 9 maj 2021 deri më 9 qershor 2021.
Ndaj të akuzuarit u shqiptua dhe dënim plotësues konform nenit 64 të KPRK-së, të njëjtit i është ndaluar drejtimi i automjetit në kohëzgjatje prej dy viteve, pasi aktgjykimi të marrë formën e prerë.
Në seancën e mbajtur të premten, Visar Morina e kishte pranuar fajësinë.
Ndërsa sipas aktgjykimit, është refuzuar propozimi për shqiptimin e dënimit plotësues, “Marrja e lejes së vozitjes” sipas nenit 65 të KPP-së, pasiqë nuk ka bazë ligjore që të shqiptohen dy dënime plotësuese në të njëjtën kohë siç ka propozuar prokuroria në aktakuzë, ka thënë gjyqtarja e çështjes, Mimoza Shabani.
I akuzuari poashtu është obliguar dhe me shpenzimet e procedurës dhe atë, në emër të shpenzimeve të paushallit gjyqësorë 20 euro, si dhe 122 euro në emër të shpenzimeve të procedurës (ekspertiza komunikacionit), si dhe 20 euro për kompensimin e viktimave të krimit.
Sipas aktakuzës, më 09 maj 2021, rreth orës 16:12, në rrugën magjistrale Ferizaj-Prizren, fshati Carralevë, Shtime, i pandehuri kishte qenë duke drejtuar automjetin e  tij ku nga pakujdesia kishte shkelur ligjin mbi trafikun publik, kështu duke rrezikuar jetën e njerëzve.
Në aktakuzë thuhet se i pandehuri kishte qenë i pakujdesshëm gjatë lëvizjes në rrugë, duke mos iu përmbajtur shenjave në rrugë si dhe nuk e kishte përshtatur shpejtësinë e lëvizjes ndaj kushteve në rrugë ku thuhet se kishte lëvizur me shpejtësi prej 75 km/h derisa kufizimi i shpejtësisë ka qenë 50 km/h.
Gjithnjë sipas aktakuzës, i pandehuri me të arritur në hyrje të fshatit Carralevë, në një kthesë të majtë kishte humbur kontrollin e lëvizjes kështu duke kaluar nga shiriti i djathtë i lëvizjes në shiritin e majtë dhe më pas jashtë rrugës, ku me ç’rast i kishte goditur me pjesën e përparme të automjetit këmbësorët (fëmijët) – tani të ndjerët L.RR dhe D.B, të cilët ishin duke lëvizur në skaj të rrugës në anën e majtë (shikuar nga drejtimi i lëvizjes së automjetit).
Sipas aktakuzës, së bashku me të ndjerët automjeti ishte rrokullisur dhe kishte përfunduar mbi lum, ndërsa si pasojë e lëndimeve i ndjeri L.RR ka vdekur për shkak të gjakderdhjes në kafazin e krahrorit, ndërsa i ndjeri D.B ka vdekur për shkak të gjakderdhjes në kafazin e krahrorit si dhe thyerjeve në boshtin kurrizor në nivel të C&TH1, të konstatuara në Raportet e Autopsisë së datës 10 maj 2021.
Me këtë ka kryer veprën penale “Rrezikimi i trafikut publik” nga neni 370 paragrafi 9 lidhur me paragrafin 6 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /BetimipërDrejtësi

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button