Premtimet e recikluara të Kurtit!

Kryeministri Albin Kurti, në ekspozenë e tij para deputetëve , paraqiti një numër premtimesh për mandatin e ardhshëm qeverisës, me prioritet të veçantë në forcimin e mbrojtjes, zhvillimin ekonomik dhe avancimin e rolit të Kosovës në rajon. Përveç pagës së 13-të për punonjësit e sektorit publik, Kurti u zotua se gjatë mandatit të tij të ardhshëm do të rrisë edhe pagën mesatare në këtë sektor, prej mbi 1 mijë euro. Ndërsa rritje tha se do të ketë edhe për shtesat për fëmijë dhe nënat lehona. Megjithatë, një pjesë e premtimeve të tij po shihen si të dhëna edhe më herët.
“Është keq që nuk kemi diçka të shkruar për t’i analizur premtimet që janë dhënë sepse kemi pa vetëm aq sa kanë raportuar mediat. Megjithatë, është pozitive që diçka ka lëvizuar u formuan institucionet disa prej premtimeve janë edhe premtime më të vjetra. Por, Kosova ka nevojë të nisë punën sepse jemi shumë prapa ne e dijmë që na rrijnë gati 1 miliardë peng në Kuvend…”, tha Rafuna për rtv21
Oda ekonomike amerikane në Kosovë, foli për nevojën e një agjende të qartë reformash ekonomike që adresont sfidat strukturore dhe do të përshpejtonte rritjen ekonomike. Oda ekonomike Amerikane përmendi edhe nevojën për bashkëpunim më të më aktiv ndërmjet sektorit publik dhe atij privat.
“Një fokus i veçantë duhet t’i kushtohet sektorit të energjisë, përfshirë diversifikimin e burimeve energjetike dhe forcimin e sigurisë energjetike të vendit, si dhe krijimit të kushteve të favorshme për investime strategjike në infrastrukturë moderne dhe energji të pastër. Po ashtu, zhvillimi i kapitalit njerëzor dhe harmonizimi i sistemit arsimor me kërkesat e tregut të punës mbeten elemente kyçe për rritjen e konkurrueshmërisë së ekonomisë së Kosovës”
Kosova përfundoi vitin 2025 me një bllokadë politike e cila prodhoi zgjedhje të reja. Ndërkohë ngërçi politik shkaktoi edhe një ngërç ekonomik i cili thuhet se do të jetë me pasoja për qytetarët në vitet e ardhshme.
“Derisa shtetet e Ballkanit Perëndimor kanë komoditetin që të ecin me hapa të ngadaltë dhe sigurt, Kosova duhet të nisë sprintin për t’i zënë hapat e bllokadës 1 vjeçarë. Dhe është koha kur duhet të kuptohet që politika bënë jehonë por ekonomia garanton dhe siguron jetën e qytetarëve.”, tha Gërxhaliu për rtv21
Institucionet e reja u formuan pas pothuajse një viti me Qeveri në detyrë dhe Kuvend gati tërësisht jofunksional. Duke i lënë peng një numër marrëveshjesh ndërkombëtare me vlerë prej qindra miliona eurosh./RTV21/21Media