Premtohet rritje e numrit të inspektorëve shëndetësorë e farmaceutikë

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe ministri i Shëndetësisë Arben Vitia kanë pritur sot në takim 24 inspektorët e rinj shëndetësorë dhe tetë inspektorët e rinj farmaceutikë.

Me këtë rast, kreu i qeverisë ka vlerësuar lart rolin e inspektorëve, të cilët siç tha ai, janë sytë dhe veshët e ankesave të qytetarëve për shërbimet shëndetësore.

“Nga 11 inspektorë shëndetësorë po bëheni 35. Nga 12 inspektorë farmaceutikë, po bëheni 20. Pra, 32 inspektorë të rinj gjithsej, që do të thotë trefish më shumë inspektorë në fushën e shëndetësisë. Me nënshkrimin e kontratave të reja, duhen zgjidhje edhe për sfidat logjistike, me ç’rast janë nisur procedurat për objektin e veçantë për Inspektoratin që do të rinovohet, si dhe do të shtohet edhe flota e makinave në mbarëvajtjen e punës dhe shpejtësinë e rezultateve”, tha ai.

Duke uruar inspektorët e rinj shëndetësorë dhe farmaceutikë, kryeministri Kurti paralajmëroi shtimin e numrit të inspektorëve, si garanci e zbatimit të ligjeve dhe trajtimit të barabartë të pacientëve.

Kurti ka bërë të ditur se është në finalizim edhe Ligji për Inspektoratin Qendror që rregullon ushtrimin e detyrave dhe përgjegjësive për inspektorët, i cili do të ndikojë në përmirësimin e shërbimeve për qytetarët. Ndërsa, ministri Vitia premtoi plotësimin e kushteve të nevojshme për punë për inspektorët.

Back to top button