Presidenca tregon pse Osmani u operua në spital privat

Arsyeja pse Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është operuar në një spital privat është ngase axha i Presidentes, kirurgu dr. Eshref Osmani është i angazhuar në këtë spital dhe ka qenë në përcjellje të gjendjes shëndetësore. Kështu ka bërë të ditur për portalin rtv21.tv Bekim Kupina, këshilltar për Media.
Ai ka thënë se xhaxhai i Osmanit, dr. Eshref Osmani ka qenë në përcjellje të gjendjes shëndetësore të presidentes qe një kohë të gjatë.
“Arsyeja pse Presidentja Osmani është operuar në spitalin “Aloka” është ngase axha i Presidentes, kirurgu dr. Eshref Osmani është i angazhuar në këtë spital dhe ka qenë në përcjellje të gjendjes shëndetësore të Presidentes qe një kohë gjatë. I njëjti ka asistuar gjatë ndërhyrjes kirurgjike. Dr. Osmani deri në pensionim ka punuar në QKUK, dhe ka një përvojë kirurgjike mbi 40 vjeçare. I njëjti e ka përcjellë me vite të tëra gjendjen shëndetësore të Presidentes, dhe për rrjedhojë nën këshillimin dhe mbikëqyrjen mjekësore të Dr. Osmanit është realizuar intervenimi kirurgjik në spitalin “Aloka”, meqë për shkak të pensionimit ai nuk punon më në QKUK”, ka thënë ai për portalin rtv21.tv.
Kupina ka theksuar se është e drejtë e pacientit ta zgjedhë mjekun te i cili duhet të trajtohet. Prandaj, siç ka thënë ai nuk ka asnjë arsye të njollosen mjekët, sepse janë po këta mjekë, të njëjtit që punojnë në institucionet shëndetësore, qoftë publike apo private.
“Pra, ekipi mjekësor që ka realizuar ndërhyrjen është përbërë tërësisht nga mjek vendor me përvojë të gjatë në institucionet publike dhe private shëndetësore të Republikës së Kosovës dhe Presidentja i falënderon për punën profesionale dhe kujdesin e treguar. Realizimi i ndërhyrjes kirurgjike nuk paraqet vlerësim të përgjithshëm mbi arritjet dhe sfidat e sektorit publik shëndetësor, pasi që Presidentja Osmani dhe familja e saj në vazhdimësi, në mbi 90 për qind të rasteve, marrin shërbime shëndetësore nga institucionet shëndetësore publike të Republikës së Kosovës. Angazhimi i presidentes Osmani për fuqizimin e sektorit të shëndetësisë nuk ka munguar dhe nuk do të mungoj asnjëherë”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se sapo është vendosur për ndërhyrje, Osmani ka përcjellë njoftimin e dorëzimit të përgjegjësive te kryeparlamentari Glauk Konjufca.
“ Kushtetuta e Republikës së Kosovës nuk e kërkon njoftimin publik të kalimit të përgjegjësive në sekondë, ndaj njoftimin publik e ka bërë Kabineti i Presidentes së Republikës së Kosovës, kur ka vlerësuar se duhet të bëhet një gjë e tillë për t’u njoftuar qytetarët për bartjen e përkohshme të përgjegjësive nga Presidentja Osmani tek kryetari Konjufca”, u shpreh Kupina.
Ndërsa sa i përket pagesës së ndërhyrjes kirurgjike ai ka thënë se do të kryhet me mjete vetjake të Presidentes Osmani, ngase ajo dhe familja e saj, aktualisht nuk kanë sigurim shëndetësor.
Kupina tha se gjendja shëndetësore Osmani pas ndërhyrjes është shumë e mirë dhe ajo vazhdon trajtimin post operativ në spitalin e njëjtë.
“Presidentja pritet ta vazhdoj rikuperimin në banesën e saj në Prishtinë pasi mjekët të lirojnë atë nga kujdesi spitalor. Në ndërkohë Presidentja Osmani i është rikthyer ushtrimit të detyrave kushtetuese të saj, ndaj sot ka emëruar 27 anëtarët e rinj të të gjitha komuniteteve të Këshillit Konsultativ për Komunitete në kuadër të Zyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës. Po ashtu, gjatë ditës, Presidentja Osmani ka qenë në kontakt me institucionet e sigurisë të Republikës së Kosovës lidhur me zhvillimet e fundit për sa i përket rendit dhe sigurisë në vend, si dhe me institucionet e tjera për temat dhe zhvillimet aktuale”, ka thënë ai.
Operimi i Osmanit në një spital privat e jo në QKUK ngjalli reagime të shumta./21Media

Back to top button