Presidenti dekretoi ligjin për buxhetin

 

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi sot ka dekretuar ligjin për buxhetin, të cilin thotë se e ka pranuar dje pasdite.

I pari i vendit ka theksuar se hyrja në fuqi e këtij ligji është domosdoshmëri.

“E bëra dekretimin e menjëhershëm që sa më parë të ekzekutohen pagesat për qytetarët tanë dhe të zbuten pasojat e pandemisë. Jam i vetëdijshëm për shqetësimet e ngritura nga përfaqësues të sektorëve të ndryshëm, por hyrja në fuqi e këtij ligji është domosdoshmëri urgjente për t’iu përgjigjur nevojave të qytetarëve”, ka shkruar presidenti në “Facebook”.

Ai është i bindur se ekzekutivi i vendit do të gjejë hapësirë dhe mundësi për t’i trajtuar të gjitha shqetësimet e ngritura nga përfaqësuesit sektorialë. Por, prioritet dhe qëllim i përbashkët sipas presidentit është lehtësimi i pasojave të pandemisë dhe menaxhimi sa më i mirë i kësaj situate.

Me 72 vota për, asnjë kundër dhe asnjë apstenim, Kuvendi i Kosovës në seancën e jashtëzakonshme më 30 korrik miratoi Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2020./21Media

Back to top button