Kaloni te përmbajtja kryesore

Presidenti serb akuzohet për përfshirje në “Sarajevo Safari”

Një kallzim penal është dorëzuar në gjykatën e Milanos për presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiç.

Kallëzimi për të është paraqitur nga gazetari investigative kroat Domagoj Margetiç, i cili i është bashkuar hetimit të nisur javën e kaluar nga prokurorët e Milanos për dosjen e quajtur “Sarajevo Safari”.

Gazetari kroat ka shpërndarë në rrjetete e tij sociale një foto të Vuçiç, i pozicionuar në një nga postblloqet ushtarake prej nga dëshmitarët thonë se të huaj dhe njësi ultranacionaliste serbe qëllonin ndaj civilëve.

Javën e kaluar, prokurorët e Milanos nisën një hetim që synonte identifikimin e italianëve të dyshuar për përfshirje në këtë ngjarje, të akuzuar për vrasje me dashje të rënduar nga mizori dhe motive të shëmtuara.

Sipas hetuesve, grupe “turistësh snajperë” dyshohet se kanë marrë pjesë në vrasjet masive pasi u kanë paguar shuma të mëdha parash ushtarëve që i përkisnin ushtrisë së Radovan Karaxhiçit – ish-liderit serb të Bosnjës i cili në vitin 2016 u shpall fajtor për gjenocid dhe krime të tjera kundër njerëzimit – për t’u transportuar në kodrat përreth Sarajevës në mënyrë që të qëllonin mbi popullsinë për kënaqësi.

Më shumë se 10,000 njerëz u vranë në Sarajevë nga bombardimet dhe zjarri snajper midis viteve 1992 dhe 1996 në atë që ishte rrethimi më i gjatë në historinë moderne, pasi Bosnja dhe Hercegovina shpalli pavarësinë nga Jugosllavia.

Snajperët ishin ndoshta elementi më i frikshëm i jetës nën rrethim në Sarajevë, sepse ata qëllonin pa dallim njerëzit në rrugë, përfshirë fëmijët.

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button