Presidentja beson se SHBA-ja do të miratojë shitjen e raketave “Javelin” për Kosovën
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se ka besim të plotë që do ta mbështesë shitjen e raketave “Javelin” për Kosovën.
Ajo përmes një postimi në llogarinë e saj “Facebook”, ka thënë se Kosova po hyn në një fazë të re dhe vendimtare të fuqizimit të kapaciteteve shtetërore të mbrojtjes.
Kjo sipas saj përfshinë zhvillimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) konform standardeve të NATO-s dhe thellimin e marrëdhënieve me partnerin strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Kam besim të plotë se Kongresi do ta mbështesë këtë shitje të mundshme për vendin më proamerikan në botë, si një akt i cili do ta rrisë sigurinë në Kosovë, në rajonin tonë, si dhe në kontinentin evropian”, ka shkruar e para e vendit.
Ajo në postimin e saj ka cituar edhe një pjesë të deklaratës së qeverisë amerikane për këtë.
“Siç u tha në Deklaratën thelbësore të Qeverisë amerikane: ‘Kjo shitje e propozuar do t’i mbështesë qëllimet e politikës së jashtme dhe sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara duke përmirësuar sigurinë e një partneri evropian që është një forcë e rëndësishme për stabilitetin politik dhe ekonomik në Evropë. Shitja e propozuar gjithashtu do ta rrisë kapacitetin afatgjatë mbrojtës të Kosovës për ta mbrojtur sovranitetin dhe integritetin territorial, si dhe për t`i përmbushur kërkesat shtetërore në sferën e mbrojtjes’”, ka shkruar Osmani.