Presidentja Osmani: Epopeja e UÇK-së përcaktoi fatin tonë si popull dhe shtet

(Lajm i përditësuar)


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani sot në seancën solemne me rastin e 26-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës tha se i detyrohemi me mirënjohje të përhershme familjes Jashari dhe të gjithë atyre që rënë për liri.

“Marsi është një muaj ku shpirti i paepur i Adem Jashari dhe UÇK i dha hov luftës kundër regjimit gjenocidal të Milloshoviqit. Prandaj “Sërish vjen marsi” nuk është më vetëm një refren kënge, është moto e kujtesës dhe nderimit të luftës sonë për liri dhe pavarësi e cila padyshim identifikohet me kryepersonazhin e luftës sonë, komandantin legjendar Adem Jasharin, familjen e tij dhe gjithë UÇK-së”, tha Osmani.

Osmani, në 26-vjetorin e nisjes së Epopesë së UÇK-së në Prekaz, ka thënë se kjo ditë rikthen kujtimet e periudhës më të lavdishme të historisë që lidhen me përpjekjet për liri e pavarësi.

“Më 5,6 dhe 7 mars, Ademi, Hamza treguan heroizëm dhe sakrificë të pashoq duke mbrojtur pragun e shtëpisë që tyre, e pragu i shtëpisë së tyre simbolizonte vetë Kosovën.

Osmani ka thënë se shteti i Kosovës qëndron mbi supet e heronjve.

“Epopeja e UÇK-së përcaktoi fatin tonë si popull dhe shtet. Adem Jashari ishte vizionar, ndërkaq guximi i tij nuk njihte kufi. Tani më shumë se kurrë uniteti për çështje të interesit kombëtar është i domosdoshëm sepse ai është mjet i vetëm për ta forcuar integritetin dhe kujtimin e atyre që u sakrifikuan për lirinë tonë. Kosova është atdheu ynë që meriton çdo ditë përkushtimin tonë të palëkundur. Zoti e bekoftë familjen Jashari, Zoti i bekoftë gjithë dëshmorët e UÇK-së. Zoti e bekoftë Republikën tonë”, tha  Osmani.


Nis seanca solemne për Epopenë e UÇK-së

Kuvendi i Kosovës ka nisur seancën solemne me rastin e 26-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Seanca ka nisur me intonimin e himeve shtetërore e kombëtare dhe një minutë heshtje për të gjitha viktimat e luftës.

I pranishëm është edhe Rifat Jashari.

Në Kuvend kanë interpretuar Ilir Shaqiri e Shkurte Fejza.


Rrëfen dëshmitari që pa nga afër mbi 50 të vrarët e Familjes Jashari

Krismat në mëngjesin e 5 marsit, u dëgjuan edhe përreth fshatit. Prekazi u zgjua nga të shtënat e para, për të rezistuar tri ditë rresht përballë ushtrisë serbe. E enjtja e parë e marsit të vitit 1998 shënon fillimin e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), të udhëhequr nga komandanti legjendar Adem Jashari. Lagjja e Jasharëve është dëshmi e terrorit ndaj tre brezave të familjes heroike. Të rrethuar nga agresori serb ishin edhe banorë të fshatrave përreth, të cilët mezi arritën të varrosin mbi 50 trupa të vrarë e masakruar. Ish-veprimtari, Xhafer Murtezaj rrëfen ndodhitë e atyre ditëve. Edhe pas rënies heroike, ai tregon se forcat serbe po qëndronin në brendi të fshatit, teksa banorët e Klinës së Poshtme po mobilizoheshin për hapjen e më shumë se 50 varreve për fëmijët, gra e pleq të vrarë.

“E kujtoj si të jetë sot”, kështu e nis rrëfimin Xhaferi, teksa kujton 5 marsin e vitit 1998.

“Drenica atë ditë ka qenë e rrethuar, jo vetëm afër territorit të komunës së Skenderaj, por rrethi ka qenë edhe më i gjerë. Duke filluar nga Klina, anës së Istogut, Vushtrrisë, Drenasi, ka qenë një rreth i jashtëzakonshëm që në shumë vende ka pasur edhe tortura…Më kujtohet një mëngjes i hershëm, ne i kemi afër shtëpitë këtu edhe kemi dëgjuar krismat. Ne patëm një përvojë të hidhur edhe më herët, në vitin 1991 që ishin rrethuar për herë të parë, mandej edhe në rrethimin e dytë me 1998, në janar. Kështu që tani ndodhi edhe marsi, me 5, 6 dhe 7 mars. Jemi zgjuar si zakonisht, por ka qenë e pamundur, prej dritareve kemi parë polici edhe vendosjen e policisë në pikat më strategjike dhe më të larta, snajperistë, armatim e tanke”, rrëfen ai.

Banorët e fshatrave përreth, ai shton, se nga krismat e armëve kuptuan që lufta kishte filluar. Nga data 5 e deri më 7 mars, Xhaferi tregon se ishin të rrethuar nga forcat policore serbe shumë pranë shtëpive.

“Kemi qenë në gjendje të jashtëzakonshme, kemi qenë në gjendje të papërshkrueshme. Kemi ditë që po ndodhë lufta. Kanë filluar krismat tërë ditën më datën 5 , ka pasur nganjëherë ndërprerje. Janë ditur armët e rezistencës, të komandantit bashkë me të lagjes së vet, Jasharëve, sepse këtu kanë qenë të gjithë të përfshirë, por kryesisht ka qenë shtëpia e bacës Shaban, Ademit, edhe me djemtë e tyre. Të gjithë kanë qenë të përgatitur, të gjithë e kanë pritur një ditë që do të rrethohen në truallin e vet, shtëpinë e vet”, shton ai.

Ani pse jo larg nga Prekazi, ai rrëfen se e kishin të pamundur që të ju dalin në ndihmë familjes heroike nga fshati i rezistencës.

“I kemi afër shtëpitë, ndoshta diku vijë ajrore 500 metra, nuk i kemi shumë. Përveç fabrikës së municionit që na ndan. Dhe të gjitha i kemi përcjellë ato…Nuk kemi mundur të depërtojnë….Edhe sot ndjehem i dobët, sepse nuk kemi pasur mundësi të ju ndihmojmë, përveç që kemi pasur mundësi të vritemi në oborr ose në rrugë. Sepse para çdo shtëpie, apo para çdo dritareje ka qenë një shënjestër prej policisë”, tregon Murtezaj më tej.

“Kemi qenë të bindur se ata të gjallë nuk dorëzohen”, kështu vazhdon rrëfimin teksa flet për rënien heroike të tre brezave.

Ish-veprimtari Xhafer Murtezaj tregon se 53 anëtarët e Jasharëve u dërguan në morg e pastaj iu dorëzuan banorëve për t’i varrosur.

“Me datën 9 nuk ka pasur kush të shkojë për t’i varrosur. Atë ditë kanë qëndruar ashtu kufomat (trupat), i ka ruajtur Nebih Ferizi edhe Naser Krasniqi, që njëkohësisht edhe atij i ishte vrarë një vëlla. Me datën 10 herën në mëngjes ka ardhur Ajnishahja, të drejtën ta them ne ende nuk guxonim me dalë. Sepse ju thash që kush ka dalë ka qenë në shënjestër edhe është vrarë. Ka ardhur Ajnishahja, dhe ju kanë thënë (serbët) që ‘nëse nuk i varrosni edhe sot, ne kemi me i varros me dhunë’. Dhe kanë marrë ekskavatorin, kanë marrë kamionin, ka ardhur ekipi i posaçëm për t’i varrosur…”, vazhdon rrëfimin ai.

Prekazi ishte rrethuar nga forcat policore serbe, ndërkohë që Xhaferi tregon se si ishin mobilizuar për të hapur varret për të gjithë të vrarët. Në hyrje të fshatit, ai shton se kishte arritur të identifikojë trupin e Hamit Jasharit dhe gruas së tij, Salës, e cila për disa vjet po bënte roje për ushtarët.

“Kemi ardhur sikur kur shkojmë në pushkatim, kemi ardhur me një mërzi të jashtëzakonshme, ndoshta me një kokë urtësi edhe pse e dinim që këta kishin bërë një trimëri, e guxim, mirëpo ana jonë e ndjenim vetën të dobët….Kur kemi ardhur te shtëpia e tyre këtu, policia në anën e epërme bënin istikame, në anën e poshtme kishin qenë në shtëpinë e bacës Hamit. Shtëpia ka qenë e djegur, bile Hamiti ka qenë i dëmtuar në pjesën e trupit, në bazë të pantollave e kemi njohur se i ka pasur disa pantolla ngjyrë kafe… Duke kaluar ashtu, po dëgjojë duke thënë (policin)-femër është. E gjetën nënën Salë”, shprehet ai.

Mes emocionesh, ai rrëfen katër ditët e vështira pas 7 marsit deri tek ceremonia e varrimit. Tregon se kishin vendosur që trupat e mbi 50 të vrarëve të varrosen në “Fushën e Pajtimit”, ku dikur bëhej pajtimi i gjaqeve. Varrimi ishte shtyrë për të nesërmen, si pasojë e mungesës së mediave.

“Ka pasur njerëz, por shumë nuk ka pasur, dy tre persona një varr duke e çelur. 56 varre i kemi çelur. Ka ardhur Zekirja Cana dhe më tha ‘Xhevat djali, ne sot nuk i varrosim për arsye sepse nuk ka depërtuar asnjë media’. Dhe duam të ju bëjmë një varrim më dinjitoz. Dhe kemi vendosur ashtu, ju kemi thënë njerëzve ‘shkepuni shkoni, sepse ne sot nuk po e varrosim”, tregon Murtezaj.

Vështirë se do të harrojë pamjen e fshatit Prekaz, gati i bërë shkrumb e hi. Me datën 11, katër ditë pas përfundimit të luftimeve, arritën të varroseshin të gjithë trupat e vrarë e masakruar, ndërkohë që përveç tymit në gjithë fshatin nuk shihej thuajse asgjë.

Në datat 5, 6 dhe 7 mars u vranë mbi 50 persona në fshatin Prekaz, prej tyre, fëmijë, gra e pleq./kp


​26 vjet nga rënia heroike e Jasharëve, sot nis Epopeja

Sulmin e gjerë që e kishte ndërmarrë Serbia në Drenicë për të zhdukur Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës e koncentroi në Prekaz, në zemrën dhe kokën e UÇK-së duke i bërë asaj një rrethim të hekurt.

Ajo që do të ndodhë në fillimet e marsit të vitit 1998 do të jetë një dëshmi e gjallë për botën e qytetëruar dhe përgjegjësit e saj politik e diplomatik. Në të vërtetë kjo ngjarje kaq e drejtpërdrejtë dhe kaq e fuqishme për nga përmasat e saj të flijimit unikat, të qëndresës e të masakrimit do ta ngrejë çështjen e Kosovës në krye të agjendës botërore. Kështu, në natën e 4 e 5 marsit të vitit 1998, Prekazi rrethohet nga forcat e shumta ushtarake dhe policore. Kjo lë të kuptohet se atje do të ketë rrethim të hekurt.

Pikërisht më 5 mars bëhen 26 vjet të rënies së komandantit legjendar, Adem Jasharit, familjes së tij dhe Jasharëve të tjerë. Mirëpo, çdo përvjetor Adem Jasharin e bënë më të lavdishëm në historinë e kombit tonë.

Me aktin e rënies së komandantit legjendar Adem Jasharit, familjes së tij dhe Jasharëve të tjerë, Kosova mundi frikën me çka i hapi shtigjet e lirisë dhe të ardhmërisë. Dhe jo rastësisht, në Prekaz, në Lagjen e Jasharëve është ngritur monumenti më i madh i luftës për liri, për pavarësi e demokraci, që këto ditë dhe data, e pikërisht 5,6,7 mars për çdo vit vëmendja e të gjithë kombit shqiptar kthehet nga Prekazi legjendar, që shekuj e vite i dha Kosovës shumë.

Që nga viti 1991 deri më 1998, Prekazi dhe Drenica ishin të rrethuar nga forcat paramilitare serbe. Synimi ishte vrasja e komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari dhe familjes së tij, për të shuar dhe shtypur rezistencën që familja Jashari me në krye Ademin e Hamzën po ia bënin regjimit të Sllobodan Millosheviqit.

Më 30 dhjetor të vitit 1991 kryhet sulmi i parë ndaj familjes Jashari. Ndërsa sulmin e dytë forcat paramilitare serbe e kryen në muajin janar, 1998. Më 22 janar forcat serbe sulmuan familjen Jashari, por edhe kësaj beteje, fëmijët dhe gratë e familjes Jashari i rezistuan. Megjithatë, në këtë betejë që zgjati afër 30 minuta, të plagosura mbeten Iliriana, vajza e Rifat Jasharit dhe Selvetja, vajza e Hamzë Jasharit. Pas këtij sulmi, familjes Jashari i erdhën miq, shok e bashkëkombës për t’u solidarizuar me ta. Ata i kërkuan kryefamiljarit Jashari që t’i tërheqin gratë dhe fëmijët nga aty. Por, edhe gratë dhe fëmijët kishin marr vendimin që të qëndrojnë, duke thënë se “po të vriten djemtë, nuk na vyen jeta të jetojmë”. Dhe vendosen të qëndrojnë, qëndruan për t’i treguar botës se shqiptarët nuk shkojnë askund përtej truallit dhe shtëpive të tyre.

Sulmi i tretë, që ndodhi më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998, mori jetën e 55 njerëzve në fshatin Prekaz, 22 prej të cilëve ishin familjarë të ngushtë të Adem Jasharit. Këtij sulmi i mbijetoi vetëm Bashkimi, djali i Rifatit, i cili ia del që mes datës 5-6 mars të largohet nga rrethina dhe arrin t’i shpëtojë sulmit, si dhe Besarta, vajza e Hamzës, e cila pa dhe përjetoj tmerrin derisa vriteshin anëtarët e familjes së saj.

Historia e familjes Jashari dhe eksponatet e saj janë vendosur në Muzeun e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në 26-vjetorin e rënies heroike të komandantit legjendar Adem Jashari, familjes Jashari, dëshmorëve të kombit si dhe të gjithë të rënëve për liri, Qeveria e Kosovës më 5, 6 dhe 7 mars organizon manifestimin gjithëpopullor “Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.

Po ashtu, Kuvendi i Kosovës do të mbajë sot seancë solemne me rastin e 26-vjetorit të Epopesë së UÇK-së, me të vetmen pikë të rendit të ditës për shënimin e këtij përvjetori.

Back to top button