Presidentja Osmani nesër flet para Parlamentit Evropian

Presidentja Vjosa Osmani ka njoftuar se nesër do t’i drejtohet Parlamentit Evropian, me ftesë të presidentes së Parlamentit Evropian, Roberta Metsola,
Osmani tha se në emër të popullit të Kosovës, do të përçoj mirënjohjen për mbështetjen e qëndrueshme të Parlamentit Evropian ndaj Kosovës.
“Në emër të popullit të Kosovës, do të përçoj mirënjohjen tonë për mbështetjen e qëndrueshme të Kuvendit që nga ditët tona më të zeza, e deri më sot, tani si vend i shpresës dhe demokracisë me një shpirt të gjallë, rinor dhe elastik”, shkroi Osmani në Twittter, njofton rtv21.tv.
Kjo është hera e parë që një President i Republikës së Kosovës si shtet i pavarur, do t’i drejtohet seancës plenare të Parlamentit Evropian.
Osmani do t’i adresohet deputetëve të Parlamentit Evropian lidhur me arritjet e Kosovës dhe rrugën e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Ajo do të shprehë mirënjohjen e qytetarëve të Kosovës për përkrahjen që Parlamenti Evropian ka ofruar për Kosovën që nga vitet e 90-ta.
Përveç takimeve me përfaqësues të Parlamentit Evropian, gjatë qëndrimit në Strasburg, Presidentja Osmani do të takojë edhe përfaqësues të Këshillit të Evropës. /21Media