Presidentja paralajmëroi vizitën në Veri, Lista Serbe deklarohet kundër

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani dje nga Mamusha ka paralajmëruar vizitën e saj në veri të Kosovës. Portali rtv21.tv ka kontaktuar me zyrën e Presidencës nga ku kanë thënë se ende nuk ka ndonjë datë të caktuar se kur Osmani do e vizitojë Veriun e Kosovës.
Por, paralajmërimi për vizitën e Osmanit në Veri nuk është mirëpritur nga kryetarët e komunave me shumicë serbe.
Në një reagim të përbashkët të kryetarëve të Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zubin Potokut dhe Zveçanit të lëshuar nga Lista Serbe thuhet se në veri të Kosovës, Osmanin nuk e mirëpresin.
“Njoftimin e vizitës së Vjosa Osmanit e perceptojmë si një provokim të popullit serb dhe një formë tjetër presioni ndaj qytetarëve tanë, veçanërisht në dritën e veprimeve antiserbe dhe deklaratave antiserbe që Osmani i ka bërë në të kaluarën. Në veri të Kosovës dhe askush nuk e percepton Vjosa Osmanin si kryetare të tyre, as ne dhe as qytetarët tanë dhe përderisa ajo është e tillë, nuk ka çfarë të kërkojë as në veri të Kosovës”, thuhet në reagimin e Listës Serbe, parti kjo që është e afërt me presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiqi.
Ndryshe, Osmani të hënën ka thënë se “serbët e Veriut nuk duhet të frikësohen”, duke shtuar se “Kosova do t’i mbrojë”.
“Ju e dini që unë vazhdimisht kam pasur vizita edhe në fshatra shqiptare në Veri, edhe në lagje tjera. Ne jemi në diskutim të vazhdueshëm edhe me ministrin e Punëve të Brendshme i cili është duke punuar shumë për së afërmi me Policinë e Kosovës për situatën atje”, ka thënë Osmani. “Jemi në komunikim edhe me qytetarët që jetojnë në veri. Natyrisht që shumë shpejt do të jem edhe atje, për t’i vizituar qytetarët. Sa i përket vizitave në komuna natyrisht që duhet të ketë vullnet edhe te kryetarët e komunave  ashtu siç ka pasur edhe kryetari i Mamushës”, ka thënë Osmani në vizitën e saj në Mamushë. /21Media

Back to top button