Deklarohet i pafajshëm i akuzuari se tentoi ta sulmonte Rrahman Jasharajn

Musli Rexhepi, i cili akuzohet se tentoi ta sulmonte fizikisht kryetarin e SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, gjatë një mbledhje në shkollën “Ismail Qemali” në Prishtinë, është deklaruar i pafajshëm në seancën dëgjimore në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
Pas leximit të aktakuzës nga prokurori Blerim Igrishta, i akuzuari u deklarua i pafajshëm.
Deklarimin e të akuzuarit e mbështeti edhe mbrojtësi i tij, avokati Tomë Gashi.
Në këto rrethana, gjykatësja e çështjes Naime Krasniqi-Jashanica e njoftoi të akuzuarin për të drejtën e tij në kërkesë për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave në afat prej 30 ditësh.
Pas kësaj, prokurori Igrishta propozoi që ndaj të njëjtit të caktohet masa e parabrugim.
“Konsiderojmë se është plotësuar ky kusht ligjor duke pasur parasysh mënyrën dhe rrethanat në të cilën është kryer vepra penale, si dhe peshën e kësaj vepre penale, e po ashtu faktin ku dihet se tani i akuzuari pasi kishte shkuar në shkollën e lartecekur dhe ishte futur në ambientet ku po mbahej greva seriozisht e ka kanosur të dëmtuarin dhe të njëjtin ka tentuar që ta sulmojë, por se është ndalur nga të pranishmit”, tha prourori.
Tutje, ai theksoi se konsiderojnë që i akuzuari mund ta përfundojë veprëne tentuar ose mund të përsërisë të ngjashme.
Sipas prokurorit Igrishta, janë analizuar edhe masa të tjera, por që konsiderojnë se janë masa të pamjaftueshme, andaj i propozoi gjykatës që të akuzuarit t’ia caktojë masën e paraburgimit.
Ndryshe, paraprakisht, zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Laureta Ulaj, ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi”, se të aktakuza ndaj Rexhepit u ngritt me kërkesë për caktimin e paraburgimit.
“Prokurori i Shtetit ka ngritur aktakuzë me kërkese për caktim te masës se paraburgimit ndaj të pandehurit, për shkak te veprës penale “Cenimi i të drejtës në greve”, duke e deleguar në gjykatën kompetente”, ka thënë Ulaj. /BetimipërDrejtësi

Back to top button