Presidentja premton mbështetje për mamitë

 

Në Ditën Ndërkombëtare të Mamive, presidentja Vjosa Osmani ka pritur një delegacion të Shoqatës së Mamive të Kosovës, të kryesuar nga kryetarja Magbule Elezi.

Në këtë takim, Shoqata e Mamive e ka njoftuar presidenten për problemet me të cilat përballet kjo fushë, duke përmendur në këtë kontekst mungesën e gjinekologeve e materniteteve në komunat e vogla, me të cilën gjë sipas tyre po rrezikohet shëndeti i grave, vajzave dhe fëmijëve.

Ato kanë kërkuar përshpejtimin e miratimit të Ligjit të ri për shëndetësi dhe kanë përmendur sfidat e përballjes me pandeminë COVID-19.

Osmani, ndërkaq ka thënë se bashkërisht me institucionet e tjera do të përpiqen t`i adresojnë problemet në këtë sektor, posaçërisht në relacion me sfidat e materniteteve në lokalitete të vogla.

Ajo ka thënë se nënat dhe fëmijët do të kenë trajtimin e duhur pikërisht në saje të punës së mamive, ndaj ka mbështetur kërkesat për përmirësimin e pozitës së gjithmbarshme të tyre.

Më tej, presidentja ka dhënë mbështetje edhe për zhvillimin e vazhdueshëm profesional të mamive, sikurse edhe rritjen e numrit të tyre në institucionet shëndetësore./21Media

Back to top button