Prezantohet projektligji për përgjegjësi disiplinore

Ministria e Drejtësisë ka prezantuar Projektligjin për Përgjegjësinë Disiplinore për gjyqtarë dhe prokurorë.

Procedura disiplinore bazohet në modelin e Kroacisë. Ky model është dakorduar me Bashkimin Evropian dhe ShBA-të.

Ankesat e qytetarëve ndaj gjykatësve dhe prokurorëve sipas këtij Projektligji paraqiten te autoritetet kompetente; kundër një gjykatësi te kryetari i gjykatës ku punon gjykatësi, kundër një prokurori te kryeprokurori i Prokurorisë ku punon prokurori, kundër kryetarit të një gjykate te kryetari i Gjykatës Supreme, kundër një kryeprokurori te Kryeprokurori i Shtetit dhe kundër kryetarit të Gjykatës Supreme dhe kryeprokurorit të shtetit të Këshilli Gjyqësor dhe Këshilli Prokurorial të Kosovës.

“Hetimin e gjykatësve dhe prokurorëve e bën një panel hetues i themeluar nga KGJK/KPK. Paneli përbëhet nga tre gjykatës kur hetohet një gjykatës dhe tre prokurorë kur hetohet një prokuror. Paneli hetues mbledh provat dhe ia dorëzon KGJK/KPK një raport mbi bazën e të cilit KGJK/KPK shqipton masën disiplinore. Kundër vendimit të KGJK/KPK lejohet ankesa para Gjykatës Supreme si instancë e fundit”, thuhet në projektligj.

Po ashtu thuhet se Ministria e Drejtësisë dhe Avokati i Popullit nuk kanë të drejtë të hetojnë gjykatës/prokurorë, as të shqiptojnë ndonjë masë disiplinore ndaj një gjykatësi/prokurori e as të hedhin poshtë vendimet e KGJK/KPK.

Kompetencat e Ministrisë së Drejtësisë dhe Avokati i Popullit sipas projektligjit janë : Në rast se një kryetar gjykate/kryeprokuror në kundërshtim me ligjin nuk e shqyrton ankesën e një qytetari MD/AP ka të drejtë të kërkojë nga KGJK/KPK fillimin e hetimeve kundër tij për shkelje disiplinore, në rast se kryetari i gjykatës/kryeprokurori në kundërshtim me ligjin e hedh poshtë ankesën e qytetarit MD/AP ka të drejtë të kërkojë nga KGJK/KPK fillimin e hetimeve për rastin i cili është hedhur poshtë; Në rast se KGJK/KPK nuk merr vendim për masën disiplinore brenda afatit ligjor MD/AP ka të drejtë të kërkojë mbrojtjen e ligjshmërisë para Gjykatës Supreme.

Back to top button