“PriFest ekskluzivisht i kushtohet Vjosa Berishës, që nga nata e parë e festivalit”

Festivali i filmit, PriFest shënon edicionin e 14-të këtë vit dhe do të mbahet nga 20-25 shtator, për herë të parë pa drejtoreshën e festivalit, Vjosa Berisha, e cila ka ndërruar jetë me 23 qershor të këtij viti.
Menaxheri i PriFest, Armend Zeqiri sot në “Bon Bon” të RTV21 u shpreh se kanë gjetur forcë ta vazhdojnë festivalin, aty ku e ka lënë Vjosa Berisha.

Zeqiri tha se ky edicion i PriFest ekskluzivisht i kushtohet Vjosa Berishës, duke filluar që nga nata e parë e festivalit.
“Me një farë forme, gjithë festivali do të kushtohet for her, për Vjosën, përkujtim të saj”, u shpreh ai.

Në PriFest sivjet do të jenë 45 filma dhe menaxheri i festivalit tregoi se PriFest këtë vit e ka një edicion të përbashkët me Festivalin e Odesës së Ukrainës.
“PriFest e ka dhanë një hapësirë të festivalit të këtij edicioni me e pru festivalin e Odesës me mbajtë. Faktikisht kjo ka qenë ide e Vjosës, fatkeqësisht nuk është Vjosa për me pa se si po realizohet”, tha Zeqiri, i cili shtoi se do të ketë mysafirë nga Ukraina, shkruan rtv21.tv

Kujtojmë që, hapja dhe mbyllja e Festivalit të filmit, PriFest, edicioni i 14-të do të bëhet me film në gjuhën shqipe. Filmi “Vera andrron detin” do ta hapë festivalin, ndërsa filmi “Virgjëresha Shqiptare” në regji të Bujar Alimanit do të mbyllë edicionin e 14-të të PriFest./21Media

Back to top button