Princi Charles viziton qendrën e refugjatëve ukrainas në Rumani

Princi Charles ka bërë një vizitë në një qendër të refugjatëve ukrainas në Rumani, sipas një njoftimi për shtyp nga Clarence House.
“Princi Charles iu bashkua madhërisë së saj Margareta, kujdestares së Kurorës Rumune, në vizitën në Qendrën e Donacioneve Romexpo për refugjatët ukrainas në Bukuresht, për të parë nga afër përgjigjen e shkëlqyer të autoriteteve rumune dhe të organizatave ndërkombëtare dhe lokale ndaj krizës humanitare në Ukrainë”, thuhet në njoftimin për shtyp.
Si pjesë e vizitës, ata folën me ukrainasit që kanë ikur nga tmerret e luftës, njoftoi Clarence House.
Qendra ka parë një rritje të qëndrueshme në numrin e refugjatëve ukrainas që ka mirëpritur që nga fillimi i pushtimit rus në Ukrainë, njoftoi tutje Clarence House.
Rumania ka mirëpritur një numër të lartë të refugjatëve ukrainas në Evropë, sipas të dhënave nga Agjencia e OKB-së për Refugjatët (UNHCR). Që nga 24 maji, 972 mijë e 203 refugjatë ukrainas kanë mbërritur në Rumani, sipas përditësimit të fundit të UNHCR-së./21Media

Back to top button